75 Mall Live Search
19:33 / E Premte, 26 Shtator 2025 / F.R

Presidentja Osmani pjesë e takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor me Grenellin

Presidentja Vjosa Osmani i është bashkuar takimit të liderëve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të Kroacisë, në New York, me Richard Grenellin, tash i dërguar presidencial i Donald Trumpit për misione të posaçme si dhe me sekretarin e Shtetit për Thesarin Scot Bessent e presidentin e Bankës EXIM John Jovanovich.

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani, ka thënë se të gjitha shtetet e ftuara kanë marrë pjesë. Ai ka bërë të ditur se Osmani ka mbërritur në pjesën e dytë të takimit për shkak të takimeve të tjera, ndërsa ka thënë se s’ka pasur diskutime politike.

“Ftesa ka qenë për “US-Western Balkans Roundtable”, nga tre përfaqësues të administratës amerikane: z. Richard Grenell, i dërguar presidencial për misione speciale, Scot Bessent, sekretar i shtetit për Thesarin si dhe John Jovanovich, president i Bankës EXIM. Të ftuara kanë qenë të 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, si dhe Kroacia. Të gjitha shtetet e ftuara kanë marrë pjesë. Presidentja ka arritur aty në pjesën e dytë të takimit për shkak të takimeve të tjera bilaterale. Në takim secili shtet ka prezantuar potencialin e vet ekonomik si mundësi për bashkëpunim me administratën Trump. Nuk ka pasur diskutime politike”, ka thënë Kupina.

Grenell në mandatin e parë të presidentit amerikan, Donald Trump, ka qenë emisar për dialogun Kosovë-Serbi. Në disa raste ka pasur përplasje me kryeministrin Albin Kurti e së fundmi pati akuzuar edhe Osmanin për “manipulim” të fjalëve të Trumpit.