75 Mall Live Search
15:54 / E Martë, 28 Dhjetor 2021 / k.v

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin jorezident të Katarit në Kosovë, Ali bin Hamad Al-Marri

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim ambasadorin jorezident të Katarit në Kosovë, Ali bin Hamad Al-Marri, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

Ambasadori Al-Marri ia ka dorëzuar Presidentes Osmani ftesën zyrtare të Emirit të Katarit, shkëlqesisë së tij Sheik Tamim Bin Hamad Al Thani për realizimin e një vizite në këtë shtet, në një kohë të përshtatshme për të dy palët.

Presidentja Osmani ka falënderuar ambasadorin Al-Marri për ftesën dhe ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë të shkëlqyeshme.

Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e interesuar për zgjerimin e bashkëpunimit politik, ekonomik, në fushën e  mbrojtjes, kulturës dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm. Në kontekst të këtij bashkëpunimi, Presidentja Osmani ka kërkuar nga Katari lehtësimin e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.