Presidenti palestinez falënderon Trumpin, për marrëveshjen e armëpushimit

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, përshëndeti njoftimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për marrëveshjen për të ndaluar luftën në Rripin e Gazës, tërheqjen e forcave pushtuese izraelite, lejimin e hyrjes së ndihmës humanitare dhe për të lehtësuar shkëmbimin e të burgosurve.
Abbas deklaroi se shpreson se këto përpjekje do të jenë një prelud për arritjen e një zgjidhjeje të përhershme politike.
Në njoftimin e lëshuar nga presidenca, thuhet se Abbas përgëzoi Trumpin dhe të gjithë ndërmjetësit për përpjekjet e tyre të rëndësishme në arritjen e marrëveshjes, duke pohuar gatishmërinë e shtetit të Palestinës për të punuar me ndërmjetësit përkatës dhe partnerët ndërkombëtarë për të siguruar suksesin e saj, me qëllim arritjen e stabilitetit dhe një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Ja çka thuhet tutje në deklaratën zyrtare:
Presidenti theksoi nevojën që të gjitha palët të angazhohen për zbatimin e menjëhershëm të marrëveshjes, duke përfshirë lirimin e të gjithë pengjeve dhe të burgosurve, hyrjen e ndihmës urgjente humanitare përmes organizatave të Kombeve të Bashkuara, parandalimin e zhvendosjes ose aneksimit dhe fillimin e procesit të rindërtimit.
Ai i kujtoi më tej bashkësisë ndërkombëtare përgjegjësinë e saj për ta detyruar Izraelin të ndalojë të gjitha masat e tij të njëanshme që shkelin të drejtën ndërkombëtare, ndër të cilat më të rëndësishmet janë ndalimi i aktivitetit të vendbanimeve dhe terrorizmit të kolonëve. Ai bëri thirrje për çarmatosjen e kolonëve, ndalimin e gjuhës së urrejtjes të praktikuar nga kjo qeveri ekstremiste kundër popullit palestinez, ndalimin e sulmeve ndaj vendeve të shenjta islamike dhe të krishtera. Presidenti Abbas bëri thirrje gjithashtu për nevojën për të ndaluar minimin e institucioneve të Autoritetit Palestinez përmes mbajtjes së të ardhurave tatimore, mbytjes së ekonomisë palestineze dhe vendosjes së pikave të kontrollit ushtarak
Ai përsëriti se sovraniteti mbi Rripin e Gazës i përket Shtetit të Palestinës dhe se lidhja midis Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës duhet të arrihet nëpërmjet ligjeve dhe institucioneve qeveritare palestineze, nëpërmjet një komiteti të unifikuar administrativ palestinez dhe forcave palestineze të sigurisë, brenda kuadrit të një sistemi dhe ligji të vetëm, dhe me mbështetje arabe dhe ndërkombëtare