75 Mall Live Search
12:49 / E Mërkurë, 10 Shtator 2025 / H F

Presion Putinit për fundin e luftës, Trump i kërkon BE-së që t’i vendosë Kinës dhe Indisë tarifë 100%

Presidenti amerikan, Donald Trump, kërkon që Bashkimi Europian të godasë Kinën dhe Indinë me tarifa deri në 100 për qind. Kreu i Shtëpisë së Bardhë mendon se kjo taktikë do të detyrojë presidentin rus, Vladimir Putin, që t’i japë fund luftës në Ukrainë.

BBC raporton se lideri amerikan e shtroi kërkesën për tarifa dërrmuese gjatë një takimi mes zyrtarëve të SHBA dhe BE-së, ku u fol për rritjen e presionit ekonomik ndaj Moskës. Trump, i cili ka premtuar fundin e konfliktit që në ditën e parë të presidencës, nuk po arrin sukses në ndërmjetësimin e marrëveshjes së paqes mes Rusisë dhe Ukrainës. Presidenti njoftoi se planifikon të bisedojë me Putinin gjatë ditëve në vijim lidhur me negociatat për paqe, përcjell A2 CNN.

Kërkesa për të goditur Kinën dhe Indinë me tarifa arsyetohet me faktin se ato shtete janë blerësit më të mëdhenj të naftës ruse, sektor i cili ndihmon shtetin e Putinit që të mbajë ekonominë dhe makinerinë e luftës në lëvizje.

Muajin e kaluar, SHBA-të vendosën një tarifë prej 50 për qind në mallrat nga India, masë në të cilën përfshihej dhe gjoba prej 25 për qind për shkëmbimet me Rusinë. Palët po negociojnë lidhur me pengesat tregtare dhe presidenti Trump njofton se do të bisedojë me kryeministrin Narendra Modi. “Kam besim se nuk do të kemi vështirësi në arritjen e një konkluzioni të suksesshme për të dyja vendet tona madhështore”, shkroi kreu i Shtëpisë së Bardhë në një mesazh në rrjetin e tij social, Truth.