Presioni nga Beogradi: “Nëse jeni serbë, nuk do të luani kundër Kosovës”
Mali i Zi është nikoqir i Kosovës në takimin e dytë të kualifikimeve për Euro 2020 dhe nuk është sekret se disa futbollistë të kësaj kombëtareje kanë prejardhje serbe.
Mirëpo, ajo që befason është një titull i një gazete të përditshme të Beogradit, e afërt me pushtetin që ka shkruar “Nëse jeni serbë, nuk do të luani kundër Kosovës”.
Ky titull u shndërrua më pas në një fushatë presioni ndaj futbollistëve si Mirko Ivanic, Filip Stojkovic, Adam Marusic, Mirko Simic dhe Vukan Savicevic, të gjithë të lindur në Serbi.
Teksti i kësaj “gazete” shkon tutje dhe shton se “lojtarët nuk po lajmërohen në telefon” duke e pranuar haptas se kanë kontaktuar lojtarët dhe tentuar të bëjnë presion në ta.
Po ashtu Vijesti në Podgoricë shkruan se disa nga këta lojtarë janë nën presionin e klubeve dhe tifozëve për të mos luajtur sonte, pohim ky që pa dyshim duket se i vë lojtarët në pozitë të papërshtatshme.