75 Mall Live Search
16:15 / E Mërkurë, 08 Korrik 2020 / C E

Presodenti i KOK-ut ishte panelist në samitin ndërkombëtar virtual “Major Events 2020”

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, ka marrë pjesë sot në samitin ndërkombëtar virtual “Major Events 2020”, i cili po mbahet online prej 7-9 korrik dhe në të cilin po marrin pjesë figura të larta sportive dhe udhëheqës të organizatave të ndryshme të sportit dhe industrive të tjera.

Presidenti Hasani mori pjesë në sesionin me temën “Cila është shtroja (tapeti) mendore, ku do të bazohet rikthimi ynë në sport pas përhapjes së pandemisë Covid 19?”.

Presidenti Hasani duke folur fillimisht për sfidat nëpër të cilat ka kaluar KOK-u deri në anëtarësimin në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), si dhe medaljen Olimpike të fituar nga Majlinda Kelmendi, bëri një rezyme të seminarit ndërkombëtar për aftësi mentale, të mbajtur online me 40 sportistë elitarë dhe Shpresa Olimpike 2020. Seminari i drejtuar nga trajnerët me licencë ndërkombëtare të organizatës australiane Optimization HUB: Graziella Thake, Elda Gjoka, Mel Roche dhe Paul Hutch, u zhvillua në katër trajnime.

Gjatë fjalës së tij, presidenti theksoi se KOK-u është duke mbështetur sportistët dhe njëkohësisht po iu mundëson atyre që të dëgjojnë seminare të ndryshme që kanë të bëjnë me shëndetin mental, sidomos pas përhapjes së pandemisë Covid 19.

Krahas presidentit Hasani, në panelin që udhëhiqej nga Graziella Thake (Optimization HUB), ishin edhe Florette Blackëood, zyrtare e lartë në Ministrinë e Sportit të Xhamajkës, Alan Beckford, administrator sportiv i Xhamajkës, Kirill Micallef Stafrace, zyrtar i lartë në Komitetin Olimpik të Maltës, Sana Mir, ish-kampione e botës në kriket me Pakistanin dhe Amelia Kuk, zyrtare e Ligës së Ragbit në Australi.

Samitin po e ndjekin mbi 1 mijë pjesëmarrës nga korporata të ndryshme të botës, ku pjesë e këtij Samiti janë rreth 200 organizata, institucione dhe biznese nga e tërë bota.

Samiti u ndjek edhe nga sportistë elitarë të Kosovës dhe zyrtarë të federatave sportive në Kosovë.