Prévot:Do të avokojë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës tani
“Do të avokojë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës tani”.
Kështu premtoi zëvendëskryeministri belg dhe ministri i Punëve të Jashtme, Maxime Prévot pas takimit që pati me homologun kosovar, Glauk Konjufca.
“Duke folur për Këshillin e Evropës, në mënyrë aktive do të avokojë për anëtarësimin tuaj, jo në të ardhmen, por tani është koha. Belgjika mbetet e përkushtuar që të fuqizojë dialogun bilateral dhe të thellojë bashkëpunimin policor të integrimit, veçanërisht duke pasur parasysh rëndësinë e madhësisë së diasporës kosovare në Belgjikë”, tha ai në konferencën për media.
Ai ka potencuar se do të vazhdon të ngrisë në diskutime nevojën e mbështetjes së Kosovës drejt familjes euro – atlantike. Ai tha se është i vetëdijshëm që duhet përafrim me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
Prévot nënvizoi se është e pamundur të flitet për integrimin evropian, pa parë stabilitetin rajonal dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Ai tha se sot po jep mesazhin e njëjtë që ka dhënë dje në Serbi.
“Belgjika mbështet plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe angazhimi i vazhdueshëm dhe progresi i prekshëm i marrëveshjeve janë të domosdoshme për stabilitetin rajonal dhe për të ardhmen evropiane të Kosovës. Progresi i vazhdueshëm drejt normalizimit kërkon vëmendje të qëndrueshme për të zbutur tensionet, veçanërisht në veri”, tha ai.

