75 Mall Live Search
22:57 / E Martë, 17 Qershor 2025 / MSH

Prezantohet “Trump Mobile”/ Ka kornizë ari dhe flamurin e SHBA-së të printuar

 Asgjë nuk e ndal Donald Trumpin që, përveç rolit të presidentit, të vijojë edhe rolin e biznesmenit.

Organizata Trump e presidentit Amerikan prezantoi pasditen e të hënës planin e saj për të krijuar një shërbim celular të quajtur Trump Mobile dhe një smartphone të quajtur T1, i cili do të ketë një kornizë ari dhe do të ketë të gdhendur nga pas flamurin Amerikan.

Celulari i cili pritet të dal në shitje në muajin shtator do të kushtojë 499 dollarë. Ai do të ketë një sistem operativ Androit 15, një ekran 6,8 inch, kamera 50 megapixel dhe një bateri prej 5000 miliamperësh.

Ky projekt i ri i Perandorisë së Bizneseve të Presidentit Amerikan do të drejtohet nga dy djemtë e tij Donald Trump Junior dhe Eric Trump.

Gjatë prezantimit të celularit dhe shërbimit të telefonisë në Trump Tower, Donald Trump Junior u shpreh se ky celular dhe linja telefonike e krijuar prej tyre do të ofrojë një paketë të plotë shërbimesh duke përfshirë asistencë rrugore për automjetet dhe mesazhe të pakufizuara në 100 vende të botës.

Ndërsa celulari do të kushtojë 499 dollarë, shërbimi celular ose linja telefonike do të ketë një kosto prej 45,47 dollarësh në muaj.  Ky tarifim nuk është një rastësi pasi lidhet pikërisht me faktin se Trump ka qenë presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara, e aktualisht është i 47-ti.

Trump Mobile pretendon se ofron mbulim të krahasueshëm me Verizon, AT&T dhe T-Mobile, tre operatorët më të mëdhenj në SHBA. Megjithatë, kjo lëvizje e familjes Trump ka ngritur shqetësime për konflikt interesi, pasi kompania po hyn në një industri të rregulluar nga agjencitë federale që ndodhen nën kontrollin e presidentit.  Kjo konsiderohet një situate e ndërlikuar për Kryetarin e Komisionit Federal të Komunikimeve i cili tashmë duhet të mbikëqyrë një rrjet që mban emrin e vetë presidentit.