12:16 / E Premte, 12 Prill 2019

Prezervativi që kërkon ‘katër duar’ si pëlqim i dy palëve për seks

Një kompani e ka gjetur një mënyrë unike për ta vënë në pah pëlqimin si temë kryesore e bisedave moderne për seksin.

Kompania nga Argjentina “Tulipan” ka krijuar një “prezervativ të pëlqimit” që kërkon katër duar – pra dy palë duar – në mënyrë që të hapet me qëllim që të rrisë vëmendjen për pëlqimin në dhomën e gjumit.

“Nëse ata nuk thonë ‘po’ atëherë do të thotë është ‘jo’. Pëlqimi është gjëja më e rëndësishme në seks”, thuhet në videon reklamuese të këtij produkti.

Paketimi i prezervativit mund të hapet vetëm nëse katër duar në të njëjtën kohë shtypin të dyja qoshet e kutisë duke e hapur prezarvitin brenda.

Paketimet e prezervativit që janë prodhim i limituar janë vendosur në kafiteritë, baret dhe shumë ngjarje që janë mbajtur në Buenos Aires.

Kompania po ashtu po shpërndan informacione rreth këtij produkti në rrjetet sociale me hashtagun #PlacerConsentido ose “kënaqësi e lejuar”.

Këta prezervativë që janë prodhim i limituar pritet të dalin në shitje gjatë këtij viti.

“Tulipan gjithmonë ka folur për seksin e sigurt, por për këtë kampanjë, ne e kemi kuptuar se duhet të flasim për gjënë më të rëndësishme në çdo marrëdhënie seksuale – kënaqësia është e mundur vetëm nëse të dyja palët pajtohen, japin pëlqimin e tyre”, ka thënë Joaquin Campins nga BBDO [kompania që e ka realizuar reklamën].

Ky prezervativ nuk është krijuar që të jetë zgjidhja për ngacmimet seksuale, por për të dhënë mesazhin e rëndësishëm për pëlqimin e dyanshëm.

Sipas AHF, një organizatë jofitimprurëse që ofron kujdes mjekësor për personat e prekur nga HIV/AIDS, vetëm 14,5 % të meshkujve nga Argjentina përdorin prezervativ rregullisht, 65 % kanë thënë se e përdorin rrallë dhe 20.5 % kanë deklaruar se nuk e përdorin prezervativin asnjëherë.

Ky prezervativ është një përgjigje direkte edhe për këto statistika duke inkurajuar jo vetëm pëlqimin, por edhe përdorimin e masave mbrojtëse në seks.