16:54 / E Martë, 27 Qershor 2023 / shkelqim osmanaj

Prigozhin mbërrin në Bjellorusi

Lideri i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin ka mbërritur në Bjellorusi. Lajmin e ka konfirmuar presidenti i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko.

“Shoh që Prigozhin po lëviz me avionin e tij. Po, në fakt ai është në Bjellorusi sot,” u shpreh Lukashenko sipas televizionit publik të Bjellorusisë.

Po ashtu, Lukashenko bëri të ditur se e paralajmëroi shefin e Wagner, Yevgeny Prigozhin se forcat e tij do të shkatërroheshin nëse ata vazhdonin marshimin e tyre drejt kryeqytetit rus.

“Në gjysmë të rrugës thjesht do të shtypeshit si insekt”, kujton Lukashenko t’i ketë thënë Prigozhinit gjatë një telefonate të shtunën, sipas mediave shtetërore bjelloruse.

Lukashenko tha se Prigozhin i tha: “Ne duam drejtësi! Ata duan të na mbytin! Ne do të shkojmë në Moskë!”

Një zyrtar i inteligjencës europiane u shpreh për CNN më herët se dy avionë privatë, që kishte lidhje me Prigozhin ishte ulur në Minsk mëngjesin e së martës.

Megjithatë, zyrtari në fjalë nuk mund të konfirmonte nëse Prigozhin ishte në bordin e ndonjërit prej aeroplanëve.