Prishtina “blindon” Mario Ilievskin, sulmuesi rinovon kontratën deri në vitin 2029
Prishtina ka siguruar vazhdimësinë e një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës.
Bëhet fjalë për, Mario Ilievski – i cili ka rinovuar kontratën me klubin deri në vitin 2029, shkruan Indeksonline
Sulmuesi 24-vjeçar, i cili ishte lojtari më efikas i bardhekaltërve gjatë sezonit të kaluar, do të vazhdojë të jetë pjesë e ekipit edhe për tri vite të tjera.
Ilievski zhvilloi një edicion të shkëlqyer, duke regjistruar 13 gola dhe 5 asistime në të gjitha garat. Me këtë paraqitje, ai u rendit si golashënuesi më i mirë i FC Prishtinës dhe asistuesi i dytë më i suksesshëm i skuadrës gjatë sezonit të kaluar.
Aktualisht, sulmuesi është në proces rikuperimi pas lëndimit të pësuar në fund të kampionatit, ndërsa klubi ka shprehur besimin e plotë te futbollisti, duke vendosur t’ia vazhdojë kontratën afatgjatë.//Indeksonline//

