17:05 / E Shtunë, 15 Prill 2023 / C E

Prishtina e Gjilani kryejnë detyrën

Kanë përfunduar tri ndeshjet e ditës së sotme në kuadër të javës së 29-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Prishtina arriti fitore me rezultat të pastër 2:0 ndaj Ferizajt në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Leotrim Kryeziu kaloi vendasit në epërsi në minutën e 44-të duke realizuar nga penalltia.

Në minutën e 77-të, Endrit Krasniqi vulosi fitoren e vendasve duke shënuar për 2:0.

Me këtë fitore, Prishtina shkon në kuotën e 41 pikëve në vendin e katërt, dy më pak se Gjilani.

Në anën tjetër, Ferizaj mbetet në kuotën e 31 pikëve në pozitën e tetë.

Fitore me rezultat 2:0 shënoi edhe Gjilani që në udhëtim e mposhti Malishevën.

Oltion Bilalli dhe Mevlan Zeka realizuan golat për gjilanasit. Asistues në të dyja golat ishte Arbnor Ramadani.

Kjo fitore e dërgon Gjilanin në kuotën e 43 pikëve në pozitën e tretë, kurse Malisheva bie në pozitën e parafundit me 30 pikë gjithsej.

Nesër do të zhvillohen edhe dy ndeshjet tjera të kësaj jave. Dukagjini do ta presë Dritën kurse Ballkani udhëton për t’u përballur me Drenicën.