75 Mall Live Search
15:39 / E Enjte, 25 Tetor 2018 / indeksADMonline

Prishtina e ngulfatur nga ndërtimet pa leje, kryetari Shpend Ahmeti heshtë

Qysh nga marrja e mandatit të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti nuk kishte lënë rast pa përmendur ndërtimet pa leje në kryeqytet, duke premtuar rrënimin e të gjithave.

Ai kishte akuzuar partinë që udhëhoqi me Prishtinën para tij, LDK-në se gjatë kohës kur ishte në pushtet kishte lejuar ndërtimin e 46 mijë objekteve pa leje, shkruan Indeksonline.

Ditë më parë, zëvendësi i Ahmetit, Selim Pacolli kishte dal me një shifër edhe më të madhe, duke thënë se në kryeqytet janë rreth 50 mijë ndërtime pa leje, të cilat janë bërë nga paslufta e deri në vitin 2013.

Për të luftuar ndërtimet pa leje, Kuvendi i Kosovës në korrik të këtij viti ka miratuar ligjin për legalizimin e Ndërtimeve pa leje, të cilit i ishte gëzuar shumë Ahmeti.

Por, pavarësisht premtimeve për të mos lënë asnjë ndërtim pa leje në kryeqytetin e Kosovës, Ahmeti ka dështuar në këtë drejtim.

Ndërtimet e egra vazhdojnë të rriten në Prishtinë, derisa numri i lejeve që jepen nga Komuna është tejet i vogël në krahasim me kërkesat.

Kështu, vetëm gjatë këtij viti, sipas faqes zyrtare të Komunës, janë lëshuar vetëm 56 leje për ndërtim, për dallim nga viti i kaluar kur ishin lëshuar 183 leje.

Ahmeti i cili u përbetua për luftim të kësaj dukurie, duket se gjatë verës nuk kishte aq kohë të merrej me këtë problematikë. Rrënimi i  fundit të objektit pa leje këtë vit ndodhi në qershor të këtij viti në Lagjen e Profesorëve në Prishtinë.

“Tentimet e tilla, do të kenë të njëjtin përfundim. Në Prishtinë, nuk ndërtohet pa leje”, kishte thënë Ahmeti.

Ndaj Ahmetit, në shtator të vitit të kaluar Partia Demokratike e Kosovës kishte dorëzuar në Prokurori një padi për shkeljet në komunën e Prishtinës për ndërtimet pa leje.

Por, i pari i Prishtinës gjatë fushatës nuk kishte vetëm këtë premtim, por edhe shumë të tjera. Ai po ashtu thoshte se do të restauroj edhe objektet e vjetra që janë në kryeqytet, por që duket se e harroi këtë fakt.

Aq shumë objekte që kanë nevojë për ‘ndërhyrje’ në Prishtinë, i kanë dal nga mendja Ahmetit, pasi nuk mbahet mend kur është bërë ndonjë restaurim.

Me 9 shkurt të këtij viti, Ahmeti kishte paralajmëruar restaurimin e dy objekteve të rëndësishme të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë, Xhamisë së Carshisë dhe Hamamit të Qytetit.

Ai kishte thënë se restaurimi i tyre do të përfundoj sivjet, por që ky premtim nuk është as afër të përfundoj.

Indeksonline ka tentuar të marr informata të detajuara nga Komuna e Prishtinës se sa leje janë refuzuar dhe sa objekte janë rrënuar. Por, përgjigja e Komunës ishte të bazohemi në të dhënat e publikuara në webfaqe, ku mungojnë këto të dhëna.

Aty janë të  dhënat vetëm sa leje janë lëshuar dhe datat e lëshimit, por asgjë më shumë./Indeksonline/