75 Mall Live Search
17:51 / E Diele, 26 Dhjetor 2021 / OSH

Prishtina Jet reagon pas ankesave të pasagjerëve për biletat e blera online për fluturime drejt Kosovës

Reagim ndaj ankesave të disa pasagjerëve të biletave të blera online për fluturime drejt Kosovës

Prishtina Jet, si njëra nga kompanitë më serioze të udhëtimeve në Kosovë,  sqaron keqkuptimet dhe keqinformimet e shumta dhe tendencioze që janë bërë këto ditë lidhur me anulimin e disa biletave të fluturimeve për në Kosovë të blera online.

Anulimet nuk kanë të bëjnë aspak me kompaninë, por kanë ndodhur për shkak të agjencive që shesin bileta online (Online Travel Agency – OTA) të ndryshme.

Sistemi funksionon asisoj që një udhëtar e blen biletën nëpërmjet këtyre agjencioneve, pastaj agjencioni i transferon mjetet tek Prishtina Jet në periudha të caktuara  kohore.

Pa u bërë ky transferim i mjeteve, fluturimi nuk mund të konfirmohet. Në këtë rast, disa agjencione të shitjeve të biletave prej nga udhëtarët i kanë blerë biletat nuk e kanë bërë transferimin e këtyre mjeteve dhe rrjedhimisht konfirmimi i fluturimeve ka qenë i pamundur.

Prishtina Jet ka reaguar menjëherë pasi ka marrë pyetje nga disa prej këtyre pasagjerëve që kanë kontaktuar për të vërtetuar fluturimet e blera duke u dërguar nga një e-mail secilit pasagjer për t’i njoftuar për këtë veprim të OTA-ve, duke i informuar gjithashtu se duhet të kërkojnë kompensim tek këto kompani ku kanë paguar pasi që nuk e kanë marrë shërbimin për të cilin kanë paguar.

Blerja e biletave është bërë në OTA dhe këto OTA kanë përgjegjësi ekskluzive si ofruesi i shërbimeve për udhëtarët që të sqarojnë se përse nuk e kanë kryer obligimin e tyre financiar, pasi kanë pranuar pagesën nga konsumatorët.

Prishtina Jet shpreh keqardhje për këtë ngjarje dhe është në kontakt të vazhdueshëm me OTA-të dhe këta pasagjer për të sqaruar problemin e shprehur pasi gjatë blerjes online OTA garantojnë kthimin e mjeteve nëse shërbimi nuk është realizuar.  

Prishtina Jet është kompani e cila ka realizuar me sukses me qindra fluturime gjerë me tani me çmimet  më  konkurruese në treg si dhe ka krijuar partneritet serioz dhe afatgjatë me kompani serioze dhe të besueshme si Malta Med Air dhe Air Malta që kanë mbi 47 vjet përvojë në fluturime duke operuar me aeroplan cilësor dhe me shërbim cilësor.

Prishtina Jet shpreh gatishmëri për t’i ndihmuar klientëve të OTA-ve në procedurat e kthimit të mjeteve, të cilët janë të inkurajuar që të shkruajnë në info@prishtinajet.com