Prishtina lanson kampanjën #PReady4more
Zyrtarët e KB Z Mobile Prishtinës sot kanë mbajtur një konferencë për medie, në të cilën kanë shpalosur detaje për aktivitetet që e presin skuadrën në vazhdim të edicionit.
Presidenti i klubit, Blerand Stavileci së bashku me nënkryetarin Lulzim Ibrahimi, anëtarin e Bordit Shkelzen Fetiu dhe drejtorin Florian Miftari nisën kampanjën #PReady4more
“Hyjmë në javën më të rëndësishme të klubit tonë me garat përfundimtare të FIBA Europe Cup ku kemi pasur një arritje të jashtëzakonshme duke hyrë në klubet më të suksesshme. Javën tjetër kemi garën me klubin italian Varese dhe nuk besoj që ndonjëherë ka pasur një ekip kaq të trofeshëm që ka shkelë në parketin tonë”, ka thënë kryetari Stavileci.
“Jemi duke marrë pjesë edhe në garat final 8. Ne kemi dashur ta mbajmë atmosferën në nivel sidomos në vigjilje të ndeshjes kundër Vareses. Qysh nga sot do ta lansojmë një kampanjë për të gjithë ‘Plisat’, adhuruesit dhe dashamirët e klubit tonë. Do t’i shfrytëzojmë këto ditët e fundit të përgatisim një garë të bukur”, ka shtuar Stavileci.
Ndërsa, drejtori i klubit Florian Miftari është shprehur optimist për fitore në ndeshjen e sotme ndaj Yllit. “Besojmë që sot të ndahemi me fitore. Shpresoj që deri atëherë të mos kemi ndonjë lëndim sepse në sport ka gjëra të paparashikueshme. Jemi në top 16 ekipet më të mira në FIBA Europe Cup dhe objektivat tjera janë Kupa e Kosovës dhe kampionati”.
Anëtari i Bordit Shkelzen Fetiu ka thënë se pritet përkrahje e madhe nga ‘Plisat’ si në Rahovec e po ashtu edhe të mërkurën në Prishtinë ndaj Pallacanestro Vareses.
Drejtuesit e klubit po ashtu falënderuan KB Rahovecin për organizimin, si dhe në veçanti Ministrinë e Sportit dhe Ministrin Gashi për ndërtimin e palestrës së bukur në Rahovec ku po mbahen garat Final 8.