Prishtina me akuza të rënda drejtuar gjyqtarëve

Prishtina është mposhtur nga Drita me rezultat 2-1 në ndeshjen e xhiros së 22-të të Superligës së Kosovës.
Skuadra nga kryeqyteti ka fajësuar fushën dhe gjyqtarët për humbjen pasi sipas tyre ndeshja do të duhej të paktën të përfundoj në barazim.
Ky është reagimi i tyre:
Prishtina ngelët në lloçin e fushës e të gjyqtarëve Gjilan,
8 mars 2020 – Prishtina sot nuk meritoi më shumë se barazimin, realisht, duke ngelë në baltën e fushës e para gjyqtarëve që “mjeshtërisht” e mbajtën lojën ashtu siç ata shumë herë kanë dëshmuar në të kaluarën kundër Prishtinës.
Kjo humbje dëshpëruese Prishtinën e lë në vend të 4-të dhe të demotivon. Megjithatë, Prishtina s’do të ishte Prishtinë sikur mos të ngjallte shpresa që ajo në momentet kruciale ngjallet sikurse feniksi.
Janë edhe 11 ndeshje dhe as balta as gjyqtarët e dirigjuar nga “miqtë” e klubit nuk do të mund të ndikojnë, gjithçka është në dorën e futbollistëve tanë e që veç talentit, për fatin e tyre të keq nuk dinë as të japin shuplaka kundërshtarit para gjyqtarit e as t’i puthin gjyqtarët në faqe pas ndeshjes.
Forca e futbollistëve të Prishtinës është talenti i tyre dhe armata e tifozëve që tani e tutje do t’i kenë numër edhe më të madh nga mbrapa.