15:14 / E Shtunë, 16 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Prishtina mposht minimalisht Shkëndijën

Prishtina e ka mposhtur Shkëndijën me rezultat 1-2 në kuadër të miqësoreve që po zhvillohen.

Bardheklatrit triumfuan në ndeshje që filloi në ora 13:00 në stadiumin Ecolog Arena në Tetovë.

Endrit Krasniqi ishte ai që e kaloi Prishtinën në epërsi në minutën e 28-të me një gol të bukur.

Pjesa e parë përfundoi me këtë rezultat minimal, derisa në të dytën kishim edhe një gol të shënuar.

Edhe 45 minutëshi i dytë kishte një lojë të barabartë, por me prishtinasit që kishin iniciativën.

Ishte minuta e 69-të kur Prishtina fitoi një penallti të cilën në gol e konvertoi Ergyn Ahmeti, për ta dyfishuar kështu epërsinë për skuadrën e tij.

Kur u mendua se ndeshja po përfundonte me rezultatin 0-2, Shkëndija e ngushtoi epërsinë e mysafirëve në 1-2.

Prishtina me Armend Dallkun ka filluar të këndellet dhe po merr rezultate pozitive, derisa kjo fitore mund të jetë si një motiv shtesë për ndeshjet e radhës në Superligën e Kosovës.

Kjo përballje u zhvillua shkaku që janë duke u zhvilluar ndeshjet me kombëtare në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020 dhe dy skuadrat kishin pothuajse të gjithë skuadrën në dispozicion.