Prishtina në pranverë, as hija e Prishtinës në vjeshtë
Skuadra nga kryeqyteti, FC Prishtina edicionin vjeshtor të Superligës e mbylli si kampion. Madje regjistroi disa rekorde gjatë kësaj periudhe, duke mbyllur 8 ndeshje rresht pa pranuar gol dhe në 17 ndeshje pranoi vetëm 4 gola në total. Pas 6 vitesh arriti të mbyllë një gjysmë sezon në vendin e parë.
Por në edicionin pranveror Prishtina duket krejt ndryshe duke pësuar 3 gola në 3 ndeshje. Përveç sulmit që po qalon, as mbrojtja nuk duket e njejta, edhe pse në afatin kalimtar skuadra e Mirel Josës nuk bëri asnjë tranferim.
Muajin e kaluar “bardhë e kaltërit” u eliminuan nga Digitalb Kupa duke pësuar disfatë në shtëpi nga Trepça ’89, shkruan Indeksonline. Pastaj erdhi humbja nga Flamurtari 2-0 e cila e rrëzoi nga froni në Superligë.
E së fundi u mposht nga Llapi 1-0 për të mbetur 5 pikë mbrapa nga Feronikeli pikërisht para ndeshjes derbi që zhvillohet të mërkuren.
Vetëm me fitore Prishtina mund të stabilizohej, përndryshe do të ishte e vështirë për ta fituar titullin e kampionit. /Indeksonline/