13:20 / E Shtunë, 09 Qershor 2018 / indeksADMonline

Prishtina pa parkingje, veturat parkohen në trotuare

Ismail Gjigolli çdo ditë e përshkon rrugën ‘Hamëz Jashari’ për të shkuar në lagjen Velania. 72 vjeçari i cili jeton në lagjen Tasligje, këtë e bënë për të takuar dy nipërit e tij.

Por ai ka shumë ankesa se përgjatë kësaj rruge nuk ndihet i sigurt për të ecur nga veturat që lëvizin. Kjo për faktin se i gjithë trotuari është i zënë me automjete të cilat janë të parkuara.

“Axhës katastrofë, pengesa më e madhe që ekziston. I kanë lanë kerret andej në trotuar, këndej në trotuar kerre na nuk dimë çka do të bëjmë. Nuk e di Komuna e Prishtinës çka po mendon”, thotë ai.

Ai thotë se shumë vite më herët është dashur që të planifikohen hapësira për krijimin e parkingjeve publike, në mënyrë që trotuaret të lihen të lira për këmbësorët.

Madje, ai akuzon të gjithë kryetarët që kanë udhëhequr me kryeqytetin që nga paslufta për atë që nuk kanë menduar për krijimin e parkingjeve.

“Asnjë kryetar i komunës që ka qenë deri tash prej pasluftës, asnjë nuk ka punuar në këtë drejtim të sigurimit të këmbësorëve, të parkingjeve të kerreve. Kur nuk ka këmbësori ku me ecë ai nuk ka qare pa dal në rrugë kryesore dhe bëhet menjëherë ndonjë tragjedi”, tha ai.

Në këtë pjesë ndodhet edhe parku i qytetit, i cili frekuentohet nga shumë persona, por që ata duhet të lëvizin përgjatë rrugës për shkak se trotuaret janë të zëna nga veturat.

Çdo ditë djalin e saj tre vjeçar e dërgon në parkun e qytetit, Shqipe Rafuna. Ajo ankohet se po e rrezikon jetën e tij për shkak se i duhet me karrocë të lëvizë në rrugë.

“Siç po shihet këtu është edhe një rrugë e ngushtë, do të thotë patjetër duhet me lëvizë nëpër trotuar dhe trotuaret janë të zëna me vetura, kështu që ne po duhet me lëviz andej ka lëvizin veturat dhe po e rrezikojmë shëndetin tonë. Normal ndonjë fatkeqësi mund të na ndodhë, jo vetëm neve po i kemi edhe fëmijët”, tha ajo.

Në hallë me veturat që parkohen përgjatë parkut të qyteti janë edhe banorët që jetojnë në këtë zonë, të cilët thonë se shpesh herë nuk mund të dalin nga dyert e shtëpisë shkaku i veturave që parkohen në trotuar.

Banori Ramiz Çoçaj, shprehet se si pasojë e zënies së trotuareve, shumë fëmijë janë goditur nga veturat, ndërsa, thotë se zgjidhje për atë pjesë të qytetit është vendosja e pengesave anti-parking.

“Për t’u liruar trotuaret duhet me vendos pengesa, që para 7 vitesh kur i ka vendos Isa Mustafën atë kohë i kanë hequr, tash po i lypin se ka ardhë Vetëvendosja tash po i lypin mi vendos pengesat anti parking. Ajo është ide e mirë me u vendos se këtu është parku i qytetit dhe e vizitojnë afër 3 ose 4 mijë persona në ditë”, tha ai.

Përveç ankesave të këtyre banorëve që jetojnë në këtë pjesë të kryeqytetit, prishtinasit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me mungesën e parkingjeve dhe pamundësinë e lëvizjes nëpër trotuar edhe në raportin e organizatës joqeveritare INPO, e cila merret me monitorinimin e komunës.

Kjo organizatë ka bërë një indeks të kënaqëshmërisë së qytetarëve me shërbimet komunale në Prishtinë, ku ankesat më të mëdha kanë qenë sa i përket parkingjeve dhe trotuareve.

Kështu, 64.01 përqind e qytetarëve të anketuar në komunën e Prishtinës kanë deklaruar se janë të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me trotuaret, gjatësinë, gjerësinë e tyre, mundësinë për lëvizje dhe mirëmbajtjen e tyre.

Ndërkaq, 78.00 përqind e qytetarëve të anketuar në komunën e Prishtinës kanë deklaruar se janë të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me ekzistencën e hapësirave publike të rezervuara për parkingje.

Drejtoresha e kësaj organizate, Albulena Nrecaj thotë se nëse shikohet në aspektin kualitativ performanca e komunës së Prishtinës sa i përket përmirësimit të shërbimeve për parkingje dhe trotuare nuk ka pasur një angazhim shumë konkret dhe një angazhim dinamik.

Madje, ajo thotë se përveç disa deklaratave publike ende nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për përmirësimin e këtyre dy problemeve me të cilat po ballafaqohen banorët e kryeqytetit.

“Ndërmarrja Parkingu Publik është themeluar, mirëpo akoma nuk ka filluar funksionalizimi dhe nuk janë konkretizuar në mënyrë të saktë, nuk janë detajuar se cilat hapësira në Prishtinë do të destinohen për parkingje publike. Pavarësisht se kemi pasur disa deklarime publike të kryetarit apo të ekzekutivit në përgjithësi, mirëpo e shohim se mungesa e parkingjeve publike në Prishtinë është evidente… Edhe trotuaret ku gjatësia e trotuareve, sa trotuare i kemi në Prishtinë dhe mundësia për të lëvizur lirshëm në këto hapësira është vlerësuar e pakënaqshme nga qytetarë. Gjithashtu ju e dini edhe si media që Komuna e Prishtinës ka pasur një aksion të vendosjes së masave anti parking nëpër trotuare, mirëpo që ato nuk mjaftojnë do të thotë për krejt territorin e Prishtinës dhe janë të vendosura në disa lagje. Këtu është edhe një lloj papërgjegjësie edhe e Policisë së Kosovë sa i përket inspektimit apo të themi kontrollit të qytetarëve apo të vozitësve të cilët parkojnë veturat nëpër trotuare”, tha Nrecaj.

Zgjidhja e problemit të parkingjeve dhe lirimi i trotuareve nga veturat ka qenë një nga premtimet e kryetarit aktual të komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, por që ende nuk ka diçka konkrete që këtij problemi t’i vijë fundi.

Drejtori i Administratës në komunën e Prishtinës, Muhedin Nushi i pyetur nga KosovaPress ka deklaruar se janë në pritje të përfundimit të planit të mobilitetit, që sipas tij do të jetë komplet deri në fund të këtij muaji, e që në këtë plan është paraparë edhe zgjidhja e këtyre dy problemeve.

“Jemi duke e pritur përfundimin e planit të mobilitetit, tash së shpejti besoj deri në fund të këtij muaji vjen komplet plani dhe mandej fillojmë me implementimin e planit, pjesë e të cilat plan është edhe pjesa e parkingjeve. Kështu që po presim deri në fund të muajit dhe mandej fillojmë me implementim, besoj që menjëherë fillohet me implementim të projektit. Jemi vazhdimisht në këtë punë, e kemi të përcaktuar projektin saktë se ku do të jenë parkingjet, cilat rrugë do të jenë një kahëshe”, ka thënë ai.

Ndërkohë që kreu i Prishtinës Shpend Ahmeti, nuk ka dhënë ndonjë deklaratë sa i përket kësaj teme, por që në facebooku-n e tij ka shkruaj se parkingjet mbeten një nga problemet kryesore të qytetit që e udhëheq.

“Pavarësisht angazhimit të vazhdueshëm për lirimin e trotuareve përmes shtyllave antiparking, nga ky Indeks kuptojmë se kemi ende shumë punë në këtë drejtim. Gjithashtu, parkingjet publike mbesin një nga problemet kryesore brenda qytetit të Prishtinës, për çka ne tashmë e kemi planin konkret, dhe jemi në drejtim të duhur të realizimit të tij”, ka shkruar ai.