75 Mall Live Search
17:37 / E Enjte, 21 Nëntor 2024 / H F

Prishtina po bëhet si Teksasi – plagosen 2 persona, arrestohet një i dyshuar

Dy persona janë plagosur pasditen e së enjtes në një përleshje me armë që ndodhi në rrugën “Mon Balaj”, në Prishtinë afër një pompe benzine.

IndeksOnline ju sjell pamje të reja, nga vendi i ngjarjes.

Këtu ndodhen ende policia e Kosovës, ku edhe po merren me hetimin e rastit.

Të plagosurit janë duke marrë trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërkohë që ende nuk dihen motivet e këtij rasti.  

Lidhur me këtë rast, detaje ka dhënë zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 16:00, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ”Mon Balaj” në Prishtinë.  Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se dy persona kanë marrë lëndime dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Policia në mënyrë aktive po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të sqarimit të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen si dhe identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personave që dyshohet të jenë të përfshirë në rastin në fjalë”, ka deklaruar ai.

Njëri prej të dyshuarve është arrestuar, ndërsa personi tjetër që dyshohet se është i përfshirë në këtë rast, është ende në arrati.

“Po ashtu është identifikuar edhe një veturë e përfshirë e cila është sekuestruar nga policia”, ka thënë tutje Borovci.