23:08 / E Mërkurë, 30 Maj 2018 / indeksADMonline

Prishtina së shpejti bëhet me spital rajonal

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, nuk ka ende spital rajonal. Mungesa e ligjit për kryeqytetin e ka lënë këtë vend pa ndërtimin e spitalit i cili është mese i nevojshëm. Por me miratimin e ligjit, kanë nisur lëvizjet e para për ndërtimin e spitalit. Ndër 10 nenet që përmban ligji për Prishtinën, hynë edhe ndërtimin i një spitali rajonal. Ky spital është parë si mundësi shumë e mirë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Prishtinës dhe jo vetëm. Madje ndërtimi i tij do të kontribuonte edhe me rënien e fluksit të pacientëve në QKUK, duke ofruar në këtë mënyrë shërbime më cilësore.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinë, Arbër Vitia ka deklaruar për Indeksonline se për vitin 2018 vetëm se janë ndarë mjetet për projektin ideor për ndërtimin e këtij spitali. Sipas tij duhet të krijohet një grup punues i cili do të vendosë paraprakisht për shërbimet që do ofrohen në këtë spital.

“Për vitin 2018 janë ndarë një pjesë e mjeteve për projektin ideor për ketë spital. Ideja është qe në bashkëpunim me MSH, SHSKUK dhe palë të tjera të interesit (duke përfshirë edhe shoqërinë civile) të formohet një grup punues ku do të vendosej paraprakisht se cilat shërbime do të ofrohen në këtë spital dhe në cilat lëmi do të jetë fokusi i këtyre shërbimeve konform nevojave të qytetarëve në Komunën e Prishtinës dhe komplementaritetit me QKUK”, ka thënë Vitia.

Kurse zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se ky dikaster ka paraparë ndërtimin e këtij spitali për periudhën 2018-2020 ku janë paraparë të shpenzohen 4 milion e 430 mijë euro. Sipas tyre këtu duhet të participojnë edhe Komuna e Prishtinë dhe partnerët  e tjerë.

“Në programin e Qeverisë- Ministria e Shëndetësisë, është paraparë edhe ndërtimi i këtij spitali dhe për periudhën 2018-2020, në buxhetin e MSH-së për ndërtimin e këtij spitali janë paraparë 4.430. 000 euro, ndërsa Komuna e Prishtinës dhe partnerë të tjerë gjithashtu pritet të participojnë në këtë projekt”, kanë thënë për Indeksonline zyrtarët për informim në MSh.

Po ashtu ceket që Ministria e Shëndetësisë tashmë ka përgatitur një koncept ku parashihen detyrat që duhet të përmbushen në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe SHSKUK-së.

“Ministria e Shëndetësisë ka bërë një koncept inicial investiv ku parashihen detyrat që duhet të përmbushen në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe SHSKUK-në për ndërtimin e spitalit si nxjerrja  e vendimit, buxheti, caktimi i lokacionit, prona, identifikimi i përkufizimeve urbanistike, detyrat projektuese, sigurimi i kushteve urbanistike, leja e ndërtimit dhe çështje të tjera të cilat duhet të realizohen që të kryhet ky projekt”,  thuhet në përgjigjen e zyrtarëve të MSh-së./Indeksonline/