Prishtina urë lidhëse për turistët e huaj, të impresionuar nga mikpritja dhe bukuria e vendit tonë
Jetojnë në shtete të ndryshme dhe nuk janë njohur më parë, por kurreshtja për ta vizituar shtetin e Kosovës, i bëri miq Daniel Trepanier nga Kanadaja dhe Jelena Novićević nga Kroacia.
Për Danielin, 72 vjeçar, është hera e parë që vjen në Prishtinë, derisa Jelena kishte qenë edhe një herë tjetër, kur ishte 7 vjeç.
Të shoqërueshëm dhe tejet modest, ata për Indeksonline tregonin përvojën e tyre në Kosovë, derisa shijonin makiato në Parkun tek Pishat në Sllatinë.
“Në Kanadë kemi dëgju për shtetet e Ballkanit. Fatkeqësisht kujtimet që i kemi për Kosovën, janë ato për luftën. Si ish-Jugosllavi kemi dëgjuar për Titon dhe e kemi dit që më Kosova nuk është pjesë e ish-Jugosllavisë dhe kam qenë shumë i interesuar me pa se si këto shtete iu kanë rikthyer jetës në paqe. I kam pasur tri vende që kam dashtë t’i vizitojë; Kroacinë, Bosnje Hercogovinën dhe Kosovën. Ajo çka kam parë deri më tani është shumë interesante se si këto shtete iu kanë rikthyer jetës duke jetuar në liri”, tregon Daniel.
72 vjeçari që një pjesë të jetës së tij e ka kaluar duke parë shtete e kultura të ndryshme në gjithë botën, thotë se Kosova ka qenë në listën e tij të udhëtimeve pikërisht për shkak se ka dashur të shoh se si jetojnë kosovarët pas luftës, derisa shprehet se është i befasuar me përparimin dhe mikpritjen që iu bë.
“Jam i impresionuar nga mënyra se si gjërat janë duke ardhë duke u organizuar mirë. Sot në mëngjes derisa po bëja një tur në Prishtinë, e kam ndjerë qe njerëzit jetojnë në paqe. Nuk shoh asnjë gjurmë lufte, e kam parë shpresën për të ardhmen tek të rinjtë. Mendoj që Bosnja nuk është në pikën e njëjtë të përparimit me Kosovën. Njerëzit nga e gjithë bota po të vijnë këtu mund të kenë avantazhe, pasi që Kosova është shtet i bukur dhe njerëzit janë shumë të mirë. Kam takuar një njeri shumë të mirë, i cili më ka ndihmuar posa kam ardhë, hosteli ku rri është shumë i pastër. Biblioteka Kombëtare është e pazakontë dhe ndërtesat e larta janë moderne dhe impresive. Nëse e krahasojmë me Kanadanë, ushqimet dhe kafet janë shumë të mirë, sidomos kafja është shumë e mirë këtu. Por, kujtimet me njerëzit do të mbesin ato si më të mirat”.
Kanadezi thotë se nuk e ka ndjerë aspak frymën e zgjedhjeve, por këtë e ka vërejtur vetëm përmes billboard-ave. Ndërsa shton se do ta vizitojë sërish Kosovën.

Kujtimet e fëmijrisë nuk i mjaftuan Jelenes që mos t’i kthehet edhe një herë Kosovës. Ajo në vitet e 90’ thotë se ka qenë me prindërit në Pejë, por që tani ka vendosur të vij e vetme, por që nuk ndjehet aspak e tillë, pasi që ka bërë shoqëri.
“Është hera e dytë për mua, por e ndjej si të ishte hera e parë. E kam lanë punën para dy muajve dhe vendosa t’i vizitoja disa shtete në Ballkan. Mendova për disa vende ku nuk kam qenë, në fakt kam ardhë pa ndonjë plan të caktuar në Prishtinë. Jam shumë e lumtur që jam këtu, më pëlqen natyra, veçmas Bjeshkët e Rugovës në Pejë, kam bërë edhe hiking. Por, për mua qyteti më i bukur është Prizreni, mund ta ndjesh kulturën me plot histori. Ndërsa Prishtina më befason me modernizimin. Njerëzit këtu janë më të ngrohtë dhe më të hapur se të tjerët. Prandaj dua ta veçoj nga ky udhëtim, pikërisht lidhjen me njerëzit”, rrëfen kroatja për Indeksonline.
Jelena derisa fliste për Kosovën veçoj edhe muzikën tonë, veçmas për këngët e Nexhmije Pagarushës dhe zërin e saj./Indeksonline/