09:28 / E Enjte, 03 Dhjetor 2020 / OSH

Prishtinasit s’adaptohen me rrugën njëkahore në Dardani, policia po shqipton gjoba

Që nga 25 nëntori disa rrugë në Komunën e Prishtinës janë kthyer në rrugë njëkahore.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se për shkak të punimeve për vendosjen e sinjalizimit vertikal te rrethi përballë Stacionit të autobusëve deri në përfundim të punimeve, rruga “Ilaz Kodra” nga kryqëzimi me rrugët “Salih Çeku”, “Idriz Gjilani” e deri te kryqëzimi me rrugën “Liburnia”, do të kthehet në rrugë njëkahore për qarkullim.

Por edhe pas një jave banorët e lagjes “Dardania” nuk janë adaptuar me këtë pasi po ka vetura në lëvizje në të dyja anët, shkruan IndeksOnline.

Për këtë, patrulla policore janë parë në hyrje-dalje të kësaj lagjeje, të cilët ndalonin dhe gjobisnin drejtuesit e veturave që bënin këtë gabim.

Vlen të thkesohet se në hyrje-dalje të lagjes janë vendosur shenjat që tregojnë se është rrugë njëkahore./IndeksOnline/