Prishtinë: Sekuestrohen cigare pa banderola në garazhin e një shtëpie
Njësitet antikontrabandë të Doganës së Kosovës, pas pranimit të një informate përmes rrugëve operative dhe pas marrjes së autorizimit për ndërmarrjen e veprimeve nga prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kanë realizuar sot një kontroll në garazhin e një shtëpie në Prishtinë.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 44 pako cigare pa banderola, të cilat dyshohet se janë kontrabanduar në territorin e Republikës së Kosovës. Vlera e përgjithshme e këtyre cigareve vlerësohet të jetë rreth 15,000 euro, ndërsa shmangiet nga pagesa e taksave dhe detyrimeve doganore llogariten të jenë mbi 30,000 euro.


Me urdhër të prokurorit, personi i dyshuar – njëkohësisht pronar i mallit – është intervistuar lidhur me rrethanat e rastit, ndërsa malli i gjetur është konfiskuar.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e tregut të ligjshëm, duke bashkëpunuar ngushtë me organet e drejtësisë për trajtimin e rasteve të tilla.

