Priten shtatzënitë e para nga IVF-i në Gjinekologji, interesim i madh i pacientëve
Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, Zef Ndrejaj, ka bërë të ditur se shërbimi i fertilizimit të asistuar mjekësor (IVF) po hyn në një fazë të rëndësishme, ndërsa priten shtatzënitë e para të konfirmuara nga procedurat e realizuara në këtë klinikë.
Sipas Ndrejajt, në fillim janë hasur vështirësi për shkak të mungesës së preparateve të nevojshme për IVF, pasi tenderët kanë dështuar dy herë dhe procesi është zgjatur. Megjithatë, ai theksoi se tani situata është stabilizuar dhe klinika është në rrugë të mbarë drejt funksionalizimit të plotë të këtij shërbimi.
Rreth 2000 pacientë kanë frekuentuar Klinikën e Gjinekologjisë për trajtim dhe përgatitje për procedurat e IVF-së. Ndrejaj thotë se deri më tani janë realizuar shtatë stimulime, gjashtë procedura të marrjes së qelizave nga vezorët dhe tri embrio-transfere. Pas këtyre procedurave, klinika është në pritje të konfirmimit të shtatzënive të para.
“Mund të themi se stimulime për IVF deri tani janë realizuar shtatë. Marrje të qelizave nga vezorët janë 6, embrio-transfer janë tri deri tash që pritet që pas transferit të qelizave të bëhet pritet të konfirmohet ndonjë shtatzani. Tash jemi në pritje të shtatzënive të para nga procedurat e IVF- it”, tha ai.
Ndrejaj tha se rreth 2,000 paciente kanë kaluar nëpër klinikë për ekzaminime, analiza dhe ndërhyrje paraprake, duke u klasifikuar për trajtim eventual me IVF.
Sipas tij, interesimi është shumë i madh, kryesisht për shkak të kostos së lartë të IVF-së në klinikat private, e cila arrin në mijëra euro, ndërsa në QKUK tri procedurat e para ofrohen falas për pacientët. Edhe procedurat pasuese, sipas tij, do të kenë kosto dukshëm më të ulët sesa në sektorin privat.
Një nga sfidat kryesore sipas tij mbetet mosha e pacienteve, pasi procedurat e IVF-së realizohen vetëm tek ato raste ku vlerësohet se ka gjasa reale për sukses. Ai sqaroi se mungesa e ligjit për donacionin e qelizave kufizon mundësitë për trajtimin e grave në moshë më të shtyrë. “Pas moshës 40-vjeçare fillojnë problemet me cilësinë e qelizave vezore dhe kjo e ul ndjeshëm suksesin e IVF-së”, tha Ndrejaj.
Ai shtoi se, megjithëse disa paciente fillimisht ndihen të zhgënjyera, përmes komunikimit dhe sqarimeve profesionale ato arrijnë të kuptojnë kufizimet mjekësore dhe ligjore.

