75 Mall Live Search
20:31 / E Martë, 16 Qershor 2020 / indeksADMonline

Pritje jo, kujdes po; ky është takimi i 27 qershorit

Albinot Maloku

Takimi Kosovë vs Serbi në Uashington, i paralajmëruar më 27 qershor të këtij viti, është vazhdimësi e angazhimeve të Granell-it. Ky takim përfaqëson insistimin e administratës Trump për një zgjidhje të problemeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Që në nisje është parë si diçka që Kosovës do t’i imponohet. Megjithatë konsideroj që vendi ynë nuk duhet në asnjë rrethanë të u ikë takimeve, madje me askënd.

Nga ana tjetër, rrugëtimi i diplomatit evropian Mirosllav Llajçak nga Brukseli në Prishtinë, është tregues i impotencës së Bashkimit Evropian karshi problemeve reale ndërmjet dy shteteve ballkanike. Problemet me aeroplanin për një diplomat që përfaqëson 27 shtete të BE-së, në shekullin XXI, nuk do të duhej t’i takonin këtij shekulli. Në anën tjetër, diplomati gjerman Wolfgang Ischinger ka një përvojë të gjatë me çështjen e Kosovës dhe e di se diplomacia alla-Granell nuk jep fryte në Ballkan. Mirëpo, diplomati Ischinger do të duhej të tregonte se është Bashkimi Evropian, pra impontenca e tij, e cila  ka ndihmur mbajtjen e këtij takimi (me 27 qershor në Uashington).

Në anën tjetër, ambasadori Richard Granell në vazhdimësi ka pasur një qasje konkrete në kërkesat dhe pritjet e tij, mirëpo asnjëherë nuk ka luajtur rolin e diplomatit me shije. Në angazhimin e tij, sidomos në raportet Kosovë-Serbi, nuk është se ka prodhuar ndonjë gjë të dobishme dhe konkrete. Prezantimi i disa letrave iniciale të vullnetit të mirë, për hapjen e vijës ajrore Prishtinë-Beograd, apo hekurudhave mes këtyre dy vendeve, nuk janë marrëveshje dhe nuk kanë prodhuar asnjë efekt konkret. Ambasadori Granell në postimin e tij në twitter ku ka thënë se ‘secila nga palët nuk është e kënaqur nga bisedimet që do të mbahen më 27 qershor, do të kthehet në pikën zero’, e ka paragjykuar përfundimin dhe kërcënuar Kosovën. Kosova të gjitha marrëveshjet prej Rambujes e këndej i ka pranuar, e Serbia asnjëherë. Edhe tani, vetëm nëse ka një bashkërendim mes administratës Trump dhe Kremlinit, Serbia do të pranojë të mos kthehet në pikën zero, për të cilën flet ambasadori Granell e që do të jetë në dëm të Kosovës.

Zgjedhje në Serbi (opozita kërkon t’i bojkotojë), zgjedhje në SHBA, Qeveri e rrugëve anësore në Kosovës, BE e stërkequr përbrenda, Rusia në paqe me pozicionin aktual të saj, e me pritë të mirën për Republikën e Kosovë, seç është pak herët.