75 Mall Live Search
10:01 / E Mërkurë, 04 Shtator 2024 / k.v

Pritjes së Majlinda Lecajt po i vjen fundi, gjykata vendos që dy nga tre fëmijët t’i marrë ajo në përkujdesje

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka nxjerrë konkluzionin në çështjen përmbarimore të Majlinda Lecajt ndaj Blerim Gashit, që ky i fundit, më 20 shtator të këtij viti të dorëzojë fëmijët te nëna e tyre (Majlinda Lecaj), sipas vendimit të gjykatës.

Gjyqtari Blerand Rrmoku, më 28 gusht ka nxjerrë Konkluzion, përmes të cilit e bëri të ekzekutueshëm aktvendimin për caktimin e përmbarimit të datës 14 qershor 2024, kjo, meqë afati për përmbushje vullnetare të tij ka mbaruar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pikën e dytë të këtij konkluzioni, thuhet se përmbarimi i aktvendimit të cekur në këtë konkluzion do të bëhet përmes marrjes së fëmijëve të mitur M.G., e lindur më 2013 dhe E.G, i lindur më 2015 nga babai Blerim Gashi i cili jeton në lagjen Hajvalia në Prishtinë dhe dorëzimin e tyre tek nëna Majinda Lecaj e cila jeton në Gjermani.

“Urdhërohet Blerim Gashi që fëmijët E.G dhe M.G t’i sjellë në ambientet e Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Njësia 1, më datë 20.09.2024, nga ora 14.00”, thuhet në pikën e tretë të këtij konkluzioni.

Po ashtu, bëhet e ditur se marrja dhe dorëzimi i fëmijëve të mitur, do të bëhet me pjesëmarrjen e gjyqtarit të çështjes dhe psikologut të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë.

Gjykata, gjithashtu udhëzon Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, duke angazhuar staf përcjellës, punëtor social, pedagog e psikolog me qëllim të lehtësimit të këtij përmbarimi.

Pika e fundit e këtij konkluzioni, sqaron se nëse babai Blerim Gashi nuk vepron sipas këtij konkluzioni, do të aplikohen dispozitat e neneve 15 dhe 16 të LPP-së.

Para disa ditësh, Majlinda Lecaj kishte shkruar një letër, të cilën ua kishte dërguar organeve të drejtësisë, duke kërkuar që rastin e saj ta trajtojnë me urgjencë, pasi që i kishte kaluar limitet e pritjes.

“Ju lutem ta trajtoni rastin tim me urgjencë, pasi është një çështje shumë e ndjeshme dhe emergjente. Situata aktuale po ndikon rëndë në mirëqeinen e fëmijëve të mi dhe në të drejtat e mia dhe është e domosdoshme që të merrni veprime të menjëhershme”, kishte shkruar Lecaj.

Më 27 qershor 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, kishe marrë vendim që në procedurën e divorcit në mes të çiftit Gashi, fëmija i madh t’i besohej babait, Blerim Gashit për kujdesje, i cili jeton në Prishtinë, ndërsa dy fëmijët më të vegjël t’i besoheshin nënës për kujdesje dhe edukim e cila jeton në Gjermani.

Ky vendim u vërtetua edhe në shkallën e dytë. Gjykata e Apelit, më 22 shkurt 2024 e konfirmoi vendimin e shkallës së parë, pa e ndryshuar atë, i cili u bë i plotfuqishëm po atë ditë, ndërsa rreth dy muaj më vonë, më 19 prill 2024 u bë i ekzekutueshëm.

Proces ky i filluar nga shtatori i vitit 2021.

Meqë prindërit nuk kishin raporte të mira, gjykata kishte vendosur që pranim-dorëzimi i fëmijëve nga njëri prind tek tjetri të bëhet përmes Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë. Këtu, Blerimi i sillte fëmijët deri në hyrje të objektit dhe përveç që nuk bëhej pranim-dorëzimi i fëmijëve, i parealizuar mbetej edhe takimi i nënës me fëmijët, me pretendimin e babait se “fëmijët nuk e duan nënën e tyre dhe nuk duan të shkojnë me të”.

Kështu, Majlinda ishte detyruar që më 28 prill 2022 të bëjë kërkesë për ekzekutim të vendimit të gjykatës.

Blerimi, i përfaqësuar nga avokatja e tij, Xhevahire Kloppner, është ankuar, me arsyetimin se fëmijët nuk duan të shkojnë te nëna e tyre. Kështu rasti ka kaluar në Gjykatë të Apelit.

Më 14 qershor 2024, Gjykata e Apelit nxjerrë aktvendim, duke i caktuar Blerim Gashit përmbarimin në afat prej 3 ditësh për t’i dorëzuar fëmijët te nëna, ashtu siç ishte marrë vendimi i gjykatës. Dhe nëse ky vendim i gjykatës nuk zbatohet, institucioni është i obliguar që të shqiptojë gjoba.

Tre ditë pas këtij vendimi, më 17 qershor 2024 Blerim Gashi sërish ankohet. Kësaj herë për vendimin e tre ditëve më parë dhe rasti sërish kalon në Gjykatën e Apelit.

Kjo e fundit me 19 korrik 2024, shkresat e lëndës i ka rikthyer në shkallën e parë me sugjerim që ankesa e Blerim Gashit të prapësohet.

Edhe pse edhe ankesa e dytë e Blerim Gashit është refuzuar dhe nuk është respektuar as afati i vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në lëndën përmbarimore që brenda tre ditëve t’ia dorëzojë fëmijët nënës, sipas vendimit të plotfuqishëm të datës 19.04.2024, fëmijët vazhdojnë të qëndrojnë te babai, kundër vendimit të gjykatës.

“Institucionet që është dashur të më ofrojnë mbështetje për fat të keq kanë shkelur të drejtat e mia si nënë dhe të 3 (tre) fëmijëve të mi, duke mos më ofruar zgjidhje të shpejtë të procedurës përkitazi me rastet urgjente siç janë çështjet familjare”, shpreh më tej shqetësimin e saj Majlinda Lecaj në letrën drejtuar institucioneve të drejtësisë.

“Ju lutem shumë të gjeni një zgjidhje për rastin tim apo duhet patjetër që rasti të përfundoj me fatalitet për tu aktivizuar dhe për të vepruar institucionet. Unë kam pritur mjaftë, fëmijët e mi tash e 3 (tre) vite maltretohen para syve të institucioneve dhe të gjithë kanë heshtur. Unë nuk do të hesht më”, shkruan Lecaj.

“Po ashtu iu njoftoj që 3 (tre) fëmijët e mitur jetojnë me një baba i cili Akuzohet për vepër penale Keqpërdorim dhe braktisje e fëmijës nga neni 243 par.1 të KPRK-së, lëndë e cila është duke u zhvilluar pranë Gjykatës Themelor në Prishtinë – Departamenti për të Mitur sipas Aktakuzës PP.II.3229/2022, të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur. Po ashtu kundër Blerim Gashit, është ngritur Aktakuze PP.II.nr.347/22F, me datë 08.07.2022, për veprën penale Mospërfillja e Gjykatës, nga neni 393 par.1 të KPRK-së. Të dy aktakuzat janë proceduar në gjykate duke mos u ndërmarr asnjë veprim drejt zgjidhjes së çështjes kryesore deri në këto momente”, sqaron më tej ajo.

Lecaj ka shkruar se ndjehet e braktisur nga gjykata dhe organet tjera përgjegjëse që do të duhej t’i ofronin mbrojtje.

“Andaj, të nderuar/a po iu drejtohem në emër të një nënë e cila momentalisht ndjehet e braktisur nga institucionet përkatësisht nga Gjykata dhe organet e tjera përgjegjëse të cilat në realitet do të duhej t’i ofronit mbrojtje, siguri dhe mbi të gjitha drejtësi”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, emisioni “Betimi për Drejtësi”, më 8 qershor të këtij viti kishte realizuar një hulumtim rreth sfidave të Majlinda Lecajt për t’i kontaktuar tre fëmijët e saj, për shkak të rezistencës së ish-bashkëshortit. Duke vënë në pah zvarritjet dhe dështimet në zbatimin e vendimit gjyqësor për kujdestarinë e fëmijëve, siç edhe është emëruar ky emision.