12:08 / E Martë, 21 Mars 2023 / AR

Privatizimi i “Kosovares”, edhe pas 17 viteve punëtorët s’i kanë marrë paratë që u takojnë!

Që nga viti 2006, kur është privatizuar ndërmarrja shoqërore “Industria e bukës dhe ëmbëlsirave Kosovarja” në regjionin e Prishtinës, punëtorët ende nuk kanë marrë tërësisht shumën e shitjes që u takon.

Shuma që ka mbetur pa u shpërndarë është 73,377 euro.

Siç pohon për Indeksonline ish-punëtori Avdullah Zairi, ata kanë marrë vetëm 20%, pra rreth 2 mijë euro.

Ai thekson se edhe ajo shumë është kryer me vonesë, ndërkohë që presin edhe një shumë tjetër.

“Na veç i kemi marrë 20%, asgjë tjetër, 23 vjet kemi punu aty, diku 2 mijë euro i kemi marrë, me vonesë njo 10 vjet, ka viti 2015-2016 i kemi marrë. Janë disa pare tona aty, kemi qenë kolektiv mjaft i madh, është djersë e punëtorit. Tash as nuk kemi pension asgjë hiç”, thekson Zairi.

Nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për Indeksonline thonë se nga shitja e aseteve deri më tani të ndërmarrjes shoqërore “Kosovarja” (1 aset me privatizim dhe 14 asete me likuidim) janë mbledhur gjithsej 2,188,132 euro.

AKP bën të ditur se kanë mbetur për t’u shpërndarë edhe 73,377 euro.

Sipas tyre, kjo shumë e mjeteve shpërndahet në momentin që Dhoma e Posaçme të Gjykatës Supreme lëshon vendimin ndaj ankesave që ish punëtorët e pakënaqur kanë dërguar në këtë Gjykatë.

“Nga shitjet e aseteve deri më tani të ndërmarrjes shoqërore “Kosovarja” (1 aset me privatizim dhe 14 asete me likuidim) janë mbledhur gjithsej 2,188,132 €uro.

Shuma e 20% të shitjeve që u takon 174 punëtorëve të kualifikueshëm është gjithsej 437,626 €uro.

Deri më tani është shpërndarë te punëtorët nga pjesa e 20 % shuma 364,613 €uro. Kanë mbetur për t’u shpërndarë edhe 73,377 €uro. Kjo shumë e mjeteve shpërndahet në momentin që Dhoma e Posaçme të Gjykatës Supreme lëshon vendimin ndaj ankesave që ish punëtorët e pakënaqur kanë dërguar në këtë Gjykatë”, thuhet në përgjigjen e AKP-së./Indeksonline/