75 Mall Live Search
10:48 / E Premte, 13 Gusht 2021 / OSH

Pro “Open Balkan”it

Ditëve të fundit Qeveria e refuzoi thirrjen për inkuadrim në nismen tash të quajtur Open Balkan. Nga diskursi i shfaqur në publik vërehet që Qeveria jonë, por edhe shumica e spektrit politik e kanë vetëm një pikëmbështetje që I kontribon qasjes anti-integruese.Nacionalizmin në raport me Serbinë. Mbi këtë pikë spektri politik ka krijuar edhe kundërshti vecanërisht me kryeministrin e Shipërise Edi Rama, deri në përmasat e shpalljes së tij tradhtar. Kjo për shkak se Rama i është bashkuar nismës integruese pjesë e së cilës është edhe Serbia dhe tashmë ka nënshkruar 2-3 marrëveshje ndërshtetërore me Serbinë.

Për mua është ende e paqartë se si dhe ke e ka tradhëtuar Rama. Që pas luftës, përfaqësuesit tanë kanë qenë pjesë e mekanizmave rajonalë bashkë me Serbinë dhe kanë nënshkruar shumë marrëveshje me të ndër vite. Fatkeqësisht shumica dërrmuese e tyre nuk ka patur ndonjë impakt zhvillimor, sidomos në krahasim me ato që nënshkruan sot Edi Rama me Serbinë.Dhe këtë e kanë bërë herë nën Rezolutën 1244, herë nën asterix e qyshmos tjetër. Qeveria e Kosovës, njëjtë si më parë, vazhdon t’I ketë prioritet politik bisedimet me Serbinë.Në nismën bashkëpunuese Rama e kishte ftuar Kosovën të përfshihet si palë e barabartë. Si Republikë e Kosovës. Me flamur para vehtes. Në këtë kuptim, Edi Rama del të jetë nacionalist.

Qeveria e Shqipërisë ka funksionuar me qasje pro-integruese për dallim nga qasja vetë-izoluese e Qeverisë së Kosovës. Dhe ia pa hajrin. Me shumë se cilido tjetër i përfshirë deri tash. Kushedi sa miljonë euro profit më shumë nga turistët e Serbisë dhe Maqedonisë, dhe rritje të vlerës së pronës së Shqiptarëve të Shqipërisë. Edi Rama është patriot për vendin e tij.

E këndej kufirit, në Kosovë, ushqehemi vetëm me nacionalizëm. Qëmoti. Të ngopur e kemi edhe palcën. Me nacionalizëm, me mbyllje dhe me vetë izolim. Nisma rajonale e kohëve të fundit Open Balkan na krijoi një mundësi për të punuar për zhvillim ekonomik dhe politik, duke përfituar nga integrimi rajonal pa kushte.

Në kushte të të qenurit në fillesat e saj Open Balkan na ofroj mundësinë e inkuadrimit pa kushte, pa standarde. Në Kosovë ndodhi refuzimi mbi argumente ideo-nacionaliste gogja profitabile deri sot për shumicën e politikanëve tanë.

Greqia përbën rast që ka përfituar nga integrimi në UE në vitin 1981, atëherë kur nuk kishte kritere, ose ato ishin shumë më të lehta. Ndryshe, inkuadrimi i Greqisë në UE do të ishte shumë më I vonshëm.

Në Shqipëri Enver Hoxha ishte vetë-izoluar për arsye ideo-politike. Le ta imagjinojmë sikur Shqiperia te kishte shfrytezuar kushtet fillestare për tu bërë pjesë e EU-se kur ajo ishte strukturë e vogël, e parëndësishme në fillet e saj. Sigurisht që sot nuk do të ishte në listën e vendeve të pazhvilluara.

Qasja e Qeverisë ndaj “Open Balkans”it është e gabuar. Nuk mund ta përjashtoish vendin tënd nga mundësite për zhvillim, e në publik të shfaqesh si patriot. Patriot është Edi Rama që përdorë mundësite e tilla rajonale për te cuar zhvillim në vendin e tij. Zhvillim që vërehet në start. Preket.

Ne kemi interes politik dhe ekonomik nga përfshirja. E para, ne Open Balkan do të merrnim pjesë si Republikë e Kosovës, si subjekt i barabartë shtetëror. Nuk kam ndëgjuar që kjo të jetë kontestuar nga Serbia. Në teorinë e marrëdhënjeve ndërkombëtare ekzistojnë konceptet e njohjes së një shteti de jure dhe de facto. Kjo do të nënkuptonte edhe njohje de fakto të Kosoves nga Serbia. Greqia p.sh nuk e ka njohur zyrtarisht-de jure Maqedonine deri vonë. Por de fakto ato kishin krijuar marredhenje bilaterale si dy shtete të pavarura. Njerëzit, ekonomia e shumëcka tjetër funksiononte natyrshëm. Njohja de jure e kohëve të fundit e Maqedonisë nga Greqia kishte mbetur vetëm një akt i natyrshëm zyrtar që duhej përfunduar.

Me Shqipërinë, si dy shtete do të kishim dy vota në Open Balkan. Ndërsa si komb përbëjmë rreth 6 miljonë banorë që jetojmë në Ballkan, pa e përfshirë diasporën. Si të tillë do të përbënim akter serioz në një treg rajonal e që funksionon pa barriera. Do të peshonim aq sa vërtetë jemi në kandarin rajonal të ekonomisë. Si një shtet i vetëizoluar do të jemi ekonomi e 1.7 miljon banorëve,që është vështirë të gjendet edhe në hartë. Për më tepër, le ta imagjinojmë një skenë ku kamionët me mallëra lëvizin lirshëm në gati tërë rajonin, e në kufirin tonë është kolona kilometërshe e kamionëve që presin për tu përballur me procedurat burokratike.

Si pjesë e Open Balkan do të pë ne do te perfitonim shumë më shumë ekonomikisht. Industria jonë prodhuese është e vogel ose e mesmë. Eshte industri me kapacitet prodhues kryesisht për nevoja të konsumit vendor dhe rajonal. Prodhuesi ynë do të fitonte qasje më të lehtë e pa barriera në një treg shumë më të madh rajonal. Kjo do të nxiste edhe shumë veprimtari të reja prodhuese. Padyshim, hyrja në konkurrencë rajonale do të nxiste edhe përmirësimin e cilësisë së produkteve tona.

Ideja se ne duhet ta pretendojmë direkt tregun e EU-se para se të kemi garuar në tregun rajonal eshte e gabueshme. Do të ishte ngulfatëse.

Së fundi, nuk e kuptoj logjikën e rreshtimit tonë me Malin e Zi të 600 mijë banorëve e me Bosnjen që nuk e njeh pavarësinëe vendit tonë, para rreshtimit me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Serbinë. Nuk kemi kurrfarë përfitimi nga kjo qasje, as politik, as ekonomik.

Ervin IBRAHIMI

MSc në Studime Zhvillimore