75 Mall Live Search
20:11 / E Diele, 29 Qershor 2025 / FR

Problemet e vjetra edhe këtë verë në Pallat të Drejtësisë, temperaturat vështërsojnë punën

Qëndrimi në këtë zyrë, që i përket njërit prej gjyqtarëve të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është i vështirë kur kalohen 10 minuta.  

Kjo për shkak të temperaturave të larta e mos funksionimit të klimave në këtë objekt që është pjesë e Pallatit të Drejtësisë.  

Më mirë nuk është as në sallat ku mbahen seancat gjyqësore, e në disa raste u përdoren alternativa të tjera për tu freskuar.  

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka thënë se situata është duke u vështirësuar çdo ditë e më shumë e gjatë kësaj jave një person është alivanosur si shkak i temperaturave të larta.  

“Temperaturat e larta nëpër zyrat e gjykatës dhe sallat e gjykimit janë duke ndikuar negativisht në shëndetin e gjyqtarëve dhe stafin administrativ si dhe në efikasitetin e punës së gjykatës, një pjesë e zyrtarëve janë me sëmundje kronike e për të njëjtin është situatë e papërballueshme dhe dje kemi pasur një rast të alivanosjes në gjykatë”, Mirlinda Gashi – Zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.  

Të papërballueshëm qëndrimin në këtë objekt e shohim edhe avokatët që shumicën e kohës e kalojnë këtu.  

“Normal temperaturat tash të larta dhe ka probleme sidomos kur kemi procese gjyqësor e në procese penale ku ka shumë të akuzuar është klima e papërballueshme por edhe ne departamentin civil, klima duhet të jetë në nivel të duhur”, deklaroi Avokati Murat Demolli. 

Në rast se gjendja nuk ndryshon brenda pak ditësh, Sindikata e punëtorëve të Gjykatës ka paralajmëruar se do ndërmarrin masa, duke nisur nga protesta.  

 
“Ne e dim se tash është sezona e verës edhe temperaturat janë duke shkuar edhe në rritje ndoshta i presim edhe dy tri ditë, një javë më shumti atëherë sindikata do të mbledhet edhe sigurisht do fillohet ose me protest ose me gjysë orari”, Naim Rrustemi – Kryetar i Sindikatës së Punëtorëve në Pallat të Drejtësisë.  

Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës kanë thënë se kanë adresuar problemet me të cilat ballafaqohen gjykatat që janë në këtë objekt, dhe se MPB-ja u ka thënë se janë duke punuar në këtë aspekt. Megjithkëtë, sipas KGJK-së rezulatet nuk janë gjithmonë të kënaqshme.   

“Më së fundmi, me datën 05.06.2025, kemi dërguar një kërkesë zyrtare pranë MPB-së dhe me date 06.06.2025 kemi marrë këtë përgjigje: “Ju informojmë që ekipa nga DSPIMNQ prej tre ditësh është duke punuar në hulumtimin dhe identifikimin e defektit të paraqitur në sistemin e klimatizimit. Sapo kemi komunikuar me ekipin teknik dhe jemi informuar se termopompa është vënë në funksion, ndërkohë që shumë shpejt do të na përcillet një raport profesional i detajuar. ”Nga kjo përgjigje është e qartë se MPB po ndërmarrë veprime në terren për rregullimin e temperaturës, megjithatë rezultatet nuk kanë qenë gjithmonë të kënaqshme”, deklaruan nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. 

Nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë kthyer përgjigje për këtë, derisa nga KGJK-ja është thënë se kanë dërguar kërkesë buxhetore në Ministrin e Financave që vitin e ardhshëm tu ndahen 1 milionë euro për sistemimin e klimatizimit dhe të ventilimit./RTVDukagjini/