75 Mall Live Search
18:43 / E Martë, 05 Prill 2022 / k.v

Problemet me kontratën te Liverpooli, Ministri i Sportit në Egjipt jep lajmin e bujshëm për Salah

Ylli egjiptian Mohamed Salah ende nuk e ka rinovuar kontratën e tij me Liverpoolin, gjë kjo që ka bërë të përhapen spekulime të shumta për të ardhmen e tij.

Siç raportohet nga shumë media, Salah është i vetëdijshëm që është në nivelet më të larta të karrierës së tij, ndërsa që të vazhdojë të ardhmen në “Anfield Road” po kërkon një pagë prej 400,000 eurosh në javë.

Kjo shumë që Salah është duke e kërkuar nuk përshtatet me sistemin e pagave që e kanë krerët e Liverpoolit te ky i fundit, kështu duke përhapur polemika të shumta rreth një largimi nga gjiganti anglez.

Vazhdës së spekulimeve tani i është bashkangjitur edhe Ministri i Sportit në Egjipt, Ashraf Sobhi, i cili tregoi që e ka këshilluar Salah të vazhdojë karrierën e tij te një klub tjetër, por që dëshira e yllit egjiptian është e kundërt me këtë gjë.

“E kam këshilluar që të vazhdojë karrierën e tij te një klub tjetër, ndryshe nga Liverpooli, por synimi i tij është që të rinovojë kontratën e tij”, tha Sobhi për “BBC Sport”.

Mbetet të shihet nëse Salah do të vazhdojë të ardhmen e tij te Liverpooli, në të kundërtën ai mund të largohet si lojtar i lirë kur edhe i skadon kontrata në sezonin e ardhshëm, respektivisht, në qershor të vitit 2023.