12:11 / E Shtunë, 21 Maj 2022 / MSH

Problemet shëndetësore që ju bëjnë të djersitni natën

Djersitja gjatë natës mund të tregojë probleme serioze, prandaj këshillohet që të shkoni te mjeku. Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) thekson se shumica e njerëzve që vuajnë nga djersitja gjatë natës nuk kanë nevojë për trajtim. Hapja e dritareve, përdorimi i pëlhurave që marrin “frymë” dhe gotave me ujë pranë shtratit ndoshta do të ndihmojnë.

Menopauza

Ekspertët thonë se nëse djersiteni gjatë natës, atëherë menopauza është një nga fajtorët kryesorë. Ndryshimet hormonale gjatë kësaj kohe mund të çojnë në djersitje tek gratë. Është mirë të vizitoni mjekun tuaj, pasi mjekimi i duhur mund të ndihmojë.

Medikamentet

Ilaçet kanë efekte anësore. Ilaçet kundër depresionit, qetësuesit e ndryshëm janë një nga shkaqet më të zakonshme të djersitjes. Nëse merrni ilaçe dhe filloni të djersiteni, duhet të flisni me mjekun për të parë nëse mund t’i ndryshoni ato.

Sheqeri i ulët në gjak

Sheqeri i ulët në gjak, i njohur gjithashtu si hipoglikemia – i referohet kur sheqeri në gjak bie në një nivel të ulët. Kjo zakonisht lidhet me diabetin dhe shumë njerëz që marrin insulinë për të trajtuar këtë gjendje do të vuajnë gjithashtu nga djersitjet gjatë natës.

Në disa raste, kjo është për shkak se trupi i tyre punon më shumë se shumica e njerëzve kur bëhet fjalë për të mbajtur organet e tyre plotësisht funksionale. Dr. Nesoki Okeke tha se kur niveli i sheqerit në gjak bie, atëherë ai mund të aktivizojë lirimin e adrenalinës. Kur kjo ndodh, gjëndrat tuaja të djersës stimulohen dhe ju filloni të djersitni shumë.

Infeksionet

Djersitja gjatë natës mund të jetë një shenjë se sistemi imunitar po lufton një infeksion. Disa njerëz kanë pasur djersitje kur janë prekur nga koronavirusi. Ju gjithashtu mund të përjetoni djersitje gjatë natës nëse keni një infeksion bakterial, një infeksion viral ose parazitar.

Disa lloje të kancerit

Djersitja gjatë natës mund të jetë gjithashtu një shenjë paralajmëruese shumë e hershme për disa lloje kanceri, kryesisht limfoma, një lloj kanceri i gjakut. Por kjo është vërtet e rrallë.

Ankthi

Ky mund të jetë një shkak i zakonshëm i djersitjes së tepërt. Kur njerëzit bëhen të shqetësuar, trupi i tyre aktivizohet në përgjigje të një “lufte” kundër asaj që i shqetëson.