14:41 / E Hënë, 14 Maj 2018 / indeksADMonline

Problemi i varrezave të Ferizajt pritet të përfundojë të premten

Gjatë ditës së sotme, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi-Bytyçi, ka mbledhur anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa për të diskutuar pikat e rendit të ditës që janë përgatitur për mbledhjen e radhës së Kuvendit të Komunës.

Në seancën e radhës së Kuvendit Komunal të Ferizajt që do të mbahet të premten, pritet të merret vendimi për destinimin e një ngastre kadastrale për varrezat e qytetit në Fshatin e Vjetër.

Kështu ka vendosur sot Komiteti për Politikë dhe Financa, pas një debati, në të cilin përfaqësuesit e opozitës nga radhët e LDK-së, jo vetëm që e kundërshtuan këtë propozim, por kërkuan që kjo pikë edhe të hiqet nga rendi i ditës i kësaj seance. Marrjes së këtij vendimi  i parapriu edhe anulimi i vendimit për shpalljen e interesit të përgjithshëm për ngastrën kadastrale e paraparë për varreza tek Parku Liria,  si dhe vendimi  për anulimin e zbatimit të aktivitetit të planit të veprimit  të PZHK-së në atë zonë.

Drejtori i Urbanizimit, Lulzim Aliu, ka argumentuar këto propozime duke vë në dukje se anulimi po bëhet me kërkesë të FSK-së dhe nevojës që sa më parë të kemi një hapësire të destinuar për varreza. Ka shtuar se vendi aktual i propozuar i plotëson kërkesat për një kohë, ndërsa ka potencuar aspektin ligjor i cili nuk e pengon PZHK-në.

Kjo paraqitje ka ngjallur debatin. Përfaqësuesit e LDK-së  në këtë trup të Kuvendit kanë thënë se kjo çështje po shikohet nga këndvështrimi politik. Kanë shtuar se ka qenë edhe premtim elektoral i kryetarit, teksa kanë përmendur edhe ndeshjen me ligjin ngase PZHK-ja sipas tyre  e ka paraparë ndryshe Në mbrojte të këtyre propozimeve kanë dalë përfaqësuesit e pozitës në Komitet, duke thënë se çdo kërkesë të FSK-së duhet respektuar, teksa kanë shtuar se FSK-ja dhe institucionet e saja i bëjnë nder të veçantë Ferizajt. Në seancën e së premtes Kuvendi i komunal Ferizajt do ta debatojë edhe platformën qeverisëse për vitin 2017-2021, ecurinë financiare  të komunës për periudhën janar-mars 2018, do ta vendosë në debat publik  rregulloren komunale për shfrytëzimin e objekteve sportive si  dhe  do të merr vendim për këmbim të një ngastre kadastrale në fshatin Komogllavë.