75 Mall Live Search
16:03 / E Hënë, 21 Qershor 2021 / AR

Procedohet në Qeveri projektligji për themelimin e Gjykatës Komerciale

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se sot është proceduar në Qeveri projektligji për themelimin e Gjykatës Komerciale.

Haxhiu thotë se ky projektligj i hap rrugë investimeve në Kosovë, shkruan Indeksonline.

“Në përputhje me zotime tona, sot e proceduam në Qeveri, projektligjin per themelimin e Gjykatës Komerciale, si një mekanizëm i veçantë, i cili i hap rrugë investimeve nga bashkëatdhetarët tanë dhe investimeve të huaja në Kosovë.

Falenderoj gjithë anëtarët e grupit punues për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë gjatë këtyre ditëve”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas strukturës organizative të gjykatave të Kosovës, të përcaktuar në ligjin për gjykatat, departamenti për çështje ekonomike që vepron në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është i vetmi departament që ka kompetencë të merret me çështjet ekonomike/afariste nga e gjithë Kosova.

Themelimi i Gjykatës Komerciale ishte një premtim i Qeverisë së re, ku Albin Kurti kishte thënë se qeveria e drejtuar nga ai do të sjellë mërgatën brenda shtetit të Kosovës, dhe ashtu sipas tij, do të zhvillohet ekonomia.

Sipas Kurtit, deri tani diasporës nuk i janë krijuar kushte për investime, por këtë situatë do ta ndryshojnë me qeverinë e re, që siç theksoi ai, do të punojnë për sundim të ligjit dhe drejtësi të pakompromis.