Procedohet rasti në prokurori ndaj trajnerit që rrahu vajzën sportiste

Zëvëndësministrja e Sportit, Daulina Osmani e ka dënuar sjelljen e dhunshme të trajnerit Valmir Fetiu ndaj vajzës së tij në një garë ndërkombëtare në Tiranë.
Madje Osmani ka bërë të ditur se Këshilli kundër dukurive negative në sport ka proceduar rastin në prokurorinë kompetente për t’u marrë me këtë rast.
“E dënojmë rëndë incidentin e dhunës në sportin e taekwondos, ku trajneri godit me shuplakë një sportiste 8-vjeçare sepse humbi në garë.
Ky rast i dhunës është shkelje e rëndë e parimeve të edukimit sportiv dhe të kujdesit për fëmijët. Kjo sjellje është e papranueshme dhe nuk përfaqëson asgjë që sporti duhet të jetë – hapësirë për zhvillim, mbështetje dhe frymëzim për të rinjtë.
Përderisa Federata Evropiane e Taekwondos ka marrë masa ndaj trajnerit, Këshilli kundër dukurive negative në sport ka proceduar rastin në prokurorinë kompetente dhe i ka kërkuar Federatës së Taekwondos të Kosovës të veprojë menjëherë për të shqyrtuar veprimtarinë e trajnerit në sistemin sportiv. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të reagojnë dhe të marrin masa të shpejta për të adresuar rastin në fjalë dhe për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen
Dhuna nuk ka vend në asnjë sport, veçanërisht ndaj fëmijëve që janë ende duke u zhvilluar dhe kanë nevojë për mbështetjeje, jo për frikësim. Është detyra jona të krijojmë ambient të sigurt, ku fëmijët ndihen të lirë dhe të frymëzuar për të ndjekur ëndrrat e tyre sportive.
Dhuna nuk ka vend në këtë mision”, shkruan Osmani në reagim./Indeksonline/