Procedurat burokratike pengesë për investime në energji të pastër në Kosovë

Kosova po përballet me krizë energjetike dhe çmime të larta të rrymës, ndërsa investimet në burime të ripërtëritshme po hasin në probleme për shkak të procedurave të ndërlikuara burokratike dhe mungesës së koordinimit institucional. Përfaqësues të kompanive energjetike thonë se bizneset e vogla dhe të mesme janë në vështirësi të mëdha, ndërsa disa prej tyre kanë ndërprerë veprimtarinë, duke humbur konkurrencën rajonale, raporton Ekonomia Online.
Themelues dhe investitorë në këtë sektor kërkojnë nga institucionet e Kosovës që të thjeshtojnë procedurat dhe të krijojnë lehtësira për investime, në mënyrë që vendi të përfitojë nga potenciali i madh për energji diellore dhe efiçencë energjetike.Lorik Muçaj nga kompania Power Bridge Alliance (PBA) tha se Kosova po kalon një tranzicion energjetik që kërkon mbështetje më të madhe nga institucionet dhe bashkëpunim me investitorët.
“Më saktësisht kemi filluar angazhimin tonë për me i ndihmu këtij tranzicioni energjetik në të cilin po kalon Kosova. Siç e dini ndryshimi, rritja e energjisë, mungesa e energjisë ka shtyrë të gjithë që të fokusohen më shumë në energji të ripërtëritshme. Si kompani i ofrojmë të gjitha shërbimet, nga planifikimi, projektimi, ndërtimit me çelësa në dorë edhe mirëmbajtës dhe ndihmës në tregtime. Pra praktikisht po mundohemi me ju ofru tregut të Kosovës ndihmë në tranzicionin elektroenergjetik që është duke ndodhur”, tha ai.
Mucaj theksoi se mungesa e energjisë së qëndrueshme dhe çmimet e larta të tregut të lirë tashmë ka goditur rëndë bizneset në Kosovë. Ai theksoi se situata kërkon masa të menjëhershme dhe një bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve të Kosovës dhe investitorëve, në mënyrë që të tejkalohen barrierat formale dhe të lehtësohet investimi në prodhimin e energjisë, sidomos nga burimet e ripërtëritshme.
“Fatkeqësisht në Kosovë gjitha bizneset janë prekur, mungesa e energjisë për konsum ka bërë që një pjesë e bizneseve me u detyru që të hyjnë në treg të lirë. Edhe ato që nuk kanë hyrë në treg të lirë përballen me çmime të shtrenjta. Ndaj edhe nevoja për të gjeneruar energji është evidente. Unë mendoj që edhe institucionet e Kosovës po edhe investitorët duhet të kenë një bashkëpunim më të madh për me arrit që t’i tejkalojnë barrierat dhe sfidat e mëdha formale që i hasin investitorët që dojnë me sjell energji në Kosovë. Unë mendoj se derisa nuk afrohet mundësi ose prodhim më i madh i energjisë të ripërtëritshme, bizneset krahas intervenimeve me panele solare duhet të edukohen edhe të marrin masa për efiçencë të energjisë dhe të riorganizojnë prodhimin e tyre. Pra ta rimenodjnë se në çfarë orari dhe në çfarë kohe bëjmë proceset e pjekjes apo konsum më të madh të energjisë. Kjo është gjendja momentale në Kosovë, kemi pasur shumë vizitorë, nga dy kategori, edhe bizneset e vogla edhe të mesme të cilat janë në krizë dhe në sfida të mëdha me çmimet e reja të rrymës, por pa dyshim edhe bizneset që e kanë ndalur veprimtarinë e tyre si rezultat i mos përballjes së çmimit të tregut të hapur e cila po i shtyn në disa avantazh me konkurrencën rajonale”, theksoi ai.
Ai bëri të ditur se PBA po zhvillon investime konkrete në sektorin energjetik, por se përballet me vështirësi të shumta.
“Në radhë të parë jemi edhe vetë investitorë, jemi duke synuar që t’i sjellim disa MGW në Rahovec për shtetin e Kosovës. Patjetër që hasim vështirësi, jo vetëm për vete por edhe për klientët tanë, investitorë të tjerë që i kemi sjellur në Kosovë. Vështirësitë janë burokracitë ose mos koordinimi institucional mes veti, ne i bëjmë ftesë institucioneve të Kosovës ta kuptojnë rëndësinë e thjeshtësimit të procedurave për investitorë të vërtetë të cilët me mjete vetanake dojnë me ju ofruar energji Kosovës dhe atë mund ta bëjnë shumë lehtë duke stimuluar një komunikim më të mirëfilltë mes KOST, ZRRE, KEK, akterëve të tjerë e mbi të gjitha pushtetit lokal. Po ka nevojë edhe unë mendoj që ka shumë hapësirë për ta thjeshtuar edhe për t’ju mundësuar njerëzve me investuar më lehtë”, u shpreh Mucaj.
Ndërsa Drin Syla nga kompania “Elen Energji”, e cila merret me instalimin e paneleve solare, theksoi përfitimet që sjell ky sektor për bizneset, familjet dhe mjedisin.“Benefitet janë të shumta, dy benefitet kryesore është që bizneset ose familjet përfitojnë shumë në vlera monetare prej një sistemi solar, po në të njëjtën kohë edhe ndikimi në ambient është tepër i madh për shkak se redukton emetimin e gazrave, redukton edhe grimcat tjera, pluhurin e dioksidin e karbonit që janë të dëmshëm për shëndetin. Kosova ka ditë me diell të shumta e cila e arrinë 260 ditë në vit. Edhe është një territor shumë i favorshëm për investimin në sisteme solare”, tha Syla.
Ai shtoi se trendi i instalimit të sistemeve solare në Kosovë është rritur dukshëm, megjithatë procedurat për instalime të caktuara ende mbeten pengesë.
“Kosova është në drejtim shumë të mirë në këtë aspekt, bizneset janë duke investuar në masë të madhe sisteme solare edhe për kursimin e energjisë por në të njëjtën kohë edhe për ndikimin në ambient. Sa i përket sfidave janë minimalizuar, përveç atyre instalimeve të paneleve solare në tokë. Ato i kanë disa burokraci, dokumente, leje të cilat marrin kohë shumë të gjatë për t’u finalizuar, kjo është një sfidë që na ballafaqon çdo ditë për shkak se jemi vazhdimisht duke u marrë dokumente, leje, pëlqime edhe kjo na vonon edhe vonon gjithë procesin”, deklaroi ai.