17:34 / E Premte, 15 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Procesi i rinumërimit të 1407 vendvotimeve, flet koordinatori i QNR-së!

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në fillim të javës mori vendim të rinumërohen edhe 1407 vendvotime, proces i cili është duke vazhduar në Qendrën e Numërimit të Rezultateve, shkruan Indeksonline.

Por për procesin e rinumërimit, Nisma Sociale Demokrate në një komunikatë për media thotë se ka parregullësi të mëdha. NISMA gjatë ditës së sotme ka thënë se dy anëtarët e VV-së, Nazlie Balaj dhe Adnan Rrustemi po ndërhyjnë vazhdimisht në tavolinat e rinumërimit për të dirigjuar se cila votë është e vlefshme apo e pavlefshme dhe presioni që po u bëhet vëzhgueseve dhe stafit të QNR-së është skandaloz dhe në kundërshtim me ligjin.

Për këtë, reagoi menjëherë aktivisti i VV-së Alban Krasniqi. Sipas Krasniqit i cili është edhe bashkëshort i deputetes Albulena Haxhiu, në QNR Nisma ka sjellë njerëz për të krijuar tensione, ndërsa i ka akuzuar ata edhe për ngacmime seksuale.

Por, siç ka treguar koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj, për Indeksonline, procesi është duke vijuar pa probleme dhe pa parregullsi. “Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është e obliguar drejtpërdrejtë në bazë të procedurave janë dhe deri tani është duke u respektuar në plotëni procedurat e QNR-së.

Nuk kemi ndonjë parregullsi deri më tani. Po shkon procesi pa probleme dhe nuk kemi ndonjë ankesë”, ka thënë Ahmetaj për Indeksonline.

Ahmetaj ka thënë se nëse ndonjë nga vëzhguesit pengon procesin e numërimin , ata largohen nga QNR. Por sipas tij, ende nuk ka ndodh ndonjë incident i tillë. “Në bazë të rregullave në QNR nëse vëzhguesit pengojnë procesin dhe shkelin kodin e mirësjelljes , atëherë veç mundem me udhëzu kryeshefin e KQZ-së dhe mundem me i largu prej Qendrës secilin vëzhgues që e shkel kodin dhe e pengon procesin.

Kjo është edhe në rregull zgjedhor që të largojmë, na u jipet kjo e drejtë”, shtoi ai. Lidhur me tensionet e ngritura në mes partive politike, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, sot i ka ka ftuar përfaqësuesit e subjekteve politike dhe vëzhguesit e tyre të tregojnë kujdesin maksimal për integritetin e procesit që po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, duke iu përmbajtur rregullave dhe procedurave të kësaj qendre, të ruajnë qetësinë e t’i shërbejnë procesit demokratik.

“Zyrtarët e numërimit duhet të lejohen të kryejnë punën e tyre në mënyrë të lirë, të papenguar dhe profesionale. Çdo ndërhyrje në punën e zyrtarëve të numërimit vështirëson dhe ngadalëson procesin për certifikimin e rezultateve përfundimtare si dhe detyron KQZ-në të marrë masa ndaj personave që nuk respektojnë rregullat për vëzhgim. Çdo palë e cila ka vërejtje për administrimin e numërimit në QNR mund të bëjë ankesë në PZAP, pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është i qartë në këtë drejtim”, ka thënë ajo./Indeksonline/