75 Mall Live Search
22:58 / E Enjte, 13 Nëntor 2025 / H F

Procesi në Hagë në fazën përfundimtare, avokatët optimistë për lirimin e çlirimtarëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po hyn në fazën përfundimtare procesi gjyqësor ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Avokatët e mbrojtjes vlerësojnë se dëshmitë e fundit kanë qenë vendimtare dhe kanë rrëzuar pretendimet e Prokurorisë, duke shprehur bindjen se vendimi përfundimtar duhet të jetë lirimi i plotë i të akuzuarve.

Avokati Skënder Musa tha për RTK-në se dëshmitarët e mbrojtjes kanë qenë të fuqishëm dhe kanë tronditur bazën e aktakuzës, e cila sipas tij është ngritur mbi materiale të fabrikuara nga Serbia dhe të mbështetura nga Rusia.

“Ai që e ka tronditë aktakuzën, i pari zoti Robin, por edhe dëshmitarë të tjerë kanë qenë të fuqishëm dhe argumentues. E kemi parë edhe ambasadorin Hill, i cili ka folur për funksionimin e Ushtrisë Çlirimtare gjatë luftës dhe ka thënë se akuzat e përfshira në aktakuzë janë të njëjtat që i kishte bërë Milosheviqi”, tha Musa.

Ndërsa avokati Ardian Bajraktari theksoi se dëshmitë e fundit e kanë forcuar tezën e mbrojtjes për mungesën e një zinxhiri të mirëfilltë komandues në UÇK.

“Këto dëshmi vetëm sa e forcojnë të kundërtën e asaj që pretendon Prokuroria. Unë jam optimist dhe besoj se nëse gjykata udhëhiqet nga drejtësia, fundi i procesit do të rezultojë me pafajësinë e të akuzuarve. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka kryer krime, as nuk ka pasur strukturë të organizuar që do ta bënte përgjegjëse për to”, deklaroi Bajraktari.

Avokatët janë të bindur se, nëse gjykata mbështetet në prova materiale dhe dëshmitarë të besueshëm, vendimi përfundimtar do të jetë lirues për katër krerët e UÇK-së.

Në javët në vijim pritet të dëgjohet dëshmitari i fundit, gjenerali Wesley Clark, pas së cilës procesi do të kalojë në fazën përfundimtare të përmbylljeve nga palët, përpara shpalljes së vendimit nga trupi gjykues.