“Prodhim dhe shitje narkotikësh”/ Policia në Tiranë arreston dy kosovarë të shpallur në kërkim

Policia e shtetit shqiptar ka arrestuar të dyshuarit A.B. (59 vjeç) dhe SH.S. (51 vjeç), të dënuar me dy vjet burgim për prodhim dhe shitje narkotikësh.
Të dyshuarit u arrestuan në Tiranë, pasi u shpallën në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata Themelore e Gjakovës, shkruan Indeksonline.
Arrestimi i tyre është bërë në kuadër te operacionit “Operacionalja 17”.
Ky është njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 17”, i zhvilluar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH.
Kapen në Tiranë dhe arrestohen me qëllim ekstradimin në Kosovë, 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar për prodhim dhe shitje të narkotikëve.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera me partnerët në Kosovë, në kuadër të planit operacional policor të koduar “Para drejtësisë”, mbi vendndodhjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Kosovës, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 17”, kapi në Tiranë dhe vuri në pranga shtetasit:
A. B., 59 vjeç dhe Sh. S., 51 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Themelore e Gjakovës, Kosovë, me vendimin e datës 19.08.2024, i ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Kosovës.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe autoriteteve ligjzbatuese kosovare, për t’i ekstraduar këta shtetas, në Kosovë.