15:24 / E Enjte, 25 Mars 2021 / OSH

Prodhohet zemra tërësisht artificiale, 19 pacientë kanë provuar pajisjen

Sëmundja e zemrës është vrasësi më i madh në botë dhe një në pesë njerëz në vendet e zhvilluara pësojnë probleme të zemrës gjatë jetës së tyre.

Në rastet më të këqija, trajtimi i vetëm është transplantimi.

Për të ndihmuar njerëzit që presin një transplantim, kompania franceze “Carmat” ka zhvilluar një “zemër totale artificiale” – një pajisje për të zëvendësuar të gjithë zemrën derisa të gjendet një dhurues.

Në formë të ngjashme me një zemër njerëzore dhe me peshë 4 kilogramë, ajo mundësohet nga dy paketa baterie që sigurojnë rreth katër orë karikim përpara se pajisja të jetë e nevojshme të lidhet me një furnizim me energji elektrike.

Sensorët zbulojnë presionin e gjakut dhe si përgjigje, një algoritëm kontrollon rrjedhën e gjakut në kohë reale.

“Funksionon si një zemër njerëzore kështu që nëse pacienti ecën, rrjedha e gjakut rritet dhe nëse pacienti është në pushim, rrjedha e gjakut është e qëndrueshme dhe e ulët”, i tha CEO i Carmat Stéphane Piat për CNN Businessin.

Pjesët në kontakt me gjakun e pacientit janë bërë nga materiali që është i pajtueshëm me trupin e njeriut, për të zvogëluar rrezikun e reaksioneve anësore.

“Pasi të implantohet, pajisja nuk kërkon mirëmbajtje”, thotë Piati.

Deri tani, 19 pacientë kanë marrë pajisjen në prova dhe në dhjetor, kompania filloi shitjet në BE.

Muajin e kaluar ka marrë autorizimin për të filluar një studim fizibilitetit për të marrë miratimin nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së.

Një zemër artificiale kushton 190.000 dollarë. Modeli është më i përshtatshëm për burrat, ndërsa për shumicën e grave është e madhe.