18:49 / E Diele, 01 Gusht 2021 / AR

Producentja Vjosa Berisha tregon se është diagnostikuar me kancer, ka një mesazh për të gjitha gratë

Vjosa Berisha dhe bashkëshorti i saj, Fatos Berisha, tanimë janë emra të njohur për publikun shqiptar në sajë të projekteve të tyre filmike.

Çifti i njohur këtë të shtunë kanë qenë të pranishëm në një intervistë në ’21 Gradë’, ku kanë folur për lidhjen e tyre, takimin e parë e po ashtu edhe për projektet.

Meqenëse gjithnjë i shohim të lumtur e të buzëqeshur, dyshja zbuluan se fati i ka vënë përballë një sfide.

Vjosa bëri të ditur se në muajin mars është diagnostikuar me kancer në vezore dhe tanimë pas operimit po trajtohet me kimioterapi.

Ajo tutje shtoi se është shumë falënderuese ndaj personelit mjekësor për kujdesin e dhënë gjatë kësaj periudhe.

Producentja e njohur mes shumë gjërash ka dhënë edhe një mesazh motivues për të gjitha gratë dhe bashkëshortët e tyre që përballen me këtë sëmundje, ku thekson se duhet të jenë të fortë dhe sa më pozitivë.

Berisha në anën tjetër nuk po ndalet nga angazhimet për përgatitjet e PriFest, i cili do të mbajë edicionin e 13-të me datat 24-29 gusht.