15:10 / E Enjte, 11 Mars 2021 / Blerim

‘Profa’ i merr përgjegjësitë për humbjen: Do ta shikojmë edhe pozicionin tim të trajnerit

Skuadra e Gjilanit ka pësuar humbje në derbin lokal ndaj Dritës me rezultat 2 me 0 në xhiron e 24-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Për këtë humbje të gjitha përgjegjësitë i ka marrë trajneri, Bylbyl Sokoli, shkruan IndeksOnline.

Madje pas ndeshjes, Sokoli paralajmëroi edhe largimin nga skuadra, duke thënë se me drejtuesit e klubit do të shikohet edhe pozicioni i tij i trajnerit.

“Mendoj se me këtë angazhim duhet më shumë sakrificë. Shumë angazhim për të arritur rrezultate. Prandaj duhet pasur kujdes për më tej dhe çfarë duhet ndërmarrë. Ishte fillim shumë i plogshtë dhe jashtë çdo koncepti që e kemi përgatitur për këtë ndeshje. Pranuam dy gola të falur. Kjo nuk tolerohet për një ekip që pretendon të jetë ekip serioz në Superligën e Kosovës. Pasi pranuam dy gola, filluam të luanim, por kjo është shumë vonë. Pamë shumë gabime, të cilat do t’i analizojmë. Sigurisht që do ta analizojmë edhe pozicionin tim. Ekipi është pak i motivuar për rezutlat dhe sigurisht që në këto rrethana, trajneri i merr të gjitha përgjegjësitë”, ka thënë Sokoli.

Pas kësaj humbjeje, Gjilani mbetet në pozitën e katërt me 33 pikë./IndeksOnline/