“Profa” kritikon deputetët, që shkuan në pushime pa e votuar Ligjin për rimëkëmbje ekonomike

“Befasi apo skandal”, kështu e ka nisur reagimin e tij në Facebook, profesori universitar dhe ish- deputeti i Kuvendit të Kosovës Muhamet Mustafa në lidhje me shkuarjen në pushime të deputetëve pa e votuar Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, transmeton IndeksOnline.
Ai ka kritikuar deputetët se si kanë shkuar në këtë pushim “ të merituar, pas një pune të lodhshme”.
“Kur para dhjetë ditësh bëra postimin e mëposhtëm, mendoja se Kuvendi do te tubohet serish pas dy tri ditësh, më se shumti pas një jave, në një përbërje që siguron forumin për ta aprovuar Ligjin që bën të mundur zbatimin e Programit të rimëkëmbjes ekonomike. Pastaj mësova se ata në fakt që atë ditë, kur mungoi kuorumi, paskan shkuar në nj pushim “të merituar, pas një pune efektive e te lodhshme ”. Me shumë se një befasi kjo mund të quhet një skandal i prodhuar nga udhëheqësi , përkatësisht Kryesia e Kuvendit, grupet parlamentare”, ka shkruar Mustafa.
Sipas tij mungesa e deputetëve ne seancën e fundit kur edhe duhej të votohej Ligji për rimëkëmbje ekonomike, është e paarsyetueshme.
“Si duket opozita bojkoti votimin e më së shumti i rreth 20 deputetëve te partive në pushtet që munguan ne seancën e Kuvendit ditën që duhej votuar ky ligj i rëndësishëm. Kjo është një kohë e humbur me kosto të lartë dhe efekte shumë negative për bizneset. Për kë po bien kambanat apo për kë po punojnë deputetët që paguhen nga tatimet dhe taksat e bizneseve ?!”,ka përfunduar Mustafa./IndeksOnline/