75 Mall Live Search
19:40 / E Diele, 27 Janar 2019 / indeksADMonline

Profesori Krasniqi: Në këtë të ftohtë, të strehohen lypësit që lëshojnë thirrje vajtuese në shesh!

Shpesh në rrugët e kryeqytetit kemi hasur të pastrehë të cilët shtrijnë duart dhe kërkojnë lëmoshë nga kalimtarët, madje të njëjtit këtë “mëshirë” e kërkojnë edhe duke ekspozuar pjesë të trupit të dëmtuara apo edhe pa to fare.

Këto pamje sa bëhen më të dhimbshme dhe trishtuese, veçmas në këto ditë të ftohta dhjetori, pasi që të pastrehët sa po vijnë e po shtohen, shkruan Indeksonline.

Është profesori universitar, Milazim Krasniqi ai që këtë dukuri e ka përshkruar  në mënyrë të jashtëzakonshme përmes një shkrimi në llogarinë Facebook, teksa i njëjti ka bërë edhe thirrje që policia dhe shërbimet sociale të merren me këta njerëz që lëshojnë thirrje vajtuese në sheshin ‘Nënë Tereza’ në kryeqytet, aty ku kalojnë më së shumti qytetarët.

Ky është shkrimi i tij i plotë:

Pas jacisë, kalova sheshit “Nëna Tereze” të kryeqytetit tonë. Edhe sonte, si netve të tjera, disa lypës të mjerë, ishin të shtrirë në tokë-borë dhe lëshonin thirrje vajtuese për ndihmë. Një tmerr! Nuk e kuptoj pse shërbimet sociale a policia nuk i marrin këta njerëz e t’i strehojnë dikund, e pakta, sa të kalojë ky i ftohtë siberian. Në dijeninë time, në disa vende, ashtu veprojnë. Si për ironi, sheshi mban emrin e nobelistes sonë, e cila në Kalkutën e largët e të huaj, i mblidhte të mjerët nga rruga e u ofronte strehë, ndërsa në atdheun e saj, të mjerët lihen të vdesin në të ftohtë, pa asnjë kujdesje. Kam frikë se jemi shumë fals, si shoqëri, si shtet, si qytetarë, si besimtarë, si njerëz.