16:09 / E Premte, 20 Nëntor 2020 / OSH

Programimi – fusha të cilën pandemia nuk e ndali dhe që po preferohet nga të rinjtë në Kosovë

Jo rastësisht programimi po bëhet një ndër profesionet më të kërkuara në të gjithë botën! Ka mijëra arsye se pse të rinjtë po e zgjedhin këtë profesion që po ju sjell perspektivë profesionale duke qenë një ndër profesionet më të kërkuara në treg. 

Këto arsye përfshijnë mundësitë e larta për punë, kushtet e mira në kompani, pagat mbi mesataren e deri te mundësitë për të punuar nga shtëpia për kompani në vende të ndryshme të botës.

Tani që Kosova po shënon rritje drastike të numrit të kompanive që ofrojnë shërbime softwerike si brenda ashtu edhe jashtë vendit, nevoja për programerë po shënon rritje të vazhdueshme.

Kështu, është rritur edhe nevoja për emancipimin e të rinjve për të marrë edukimin e duhur që ka për bazë punën në praktikë. 

Me trajnimin e duhur, dëshirën, vullnetin dhe përkushtimin, ti mund të bëhesh një ndër programerët më të mirë në vend! 

Prandaj është e rëndësishme që të gjithë të rinjtë t’i shqyrtojnë mundësitë për ndërtimin e një karriere në sektorin e IT-së, e sidomos sot, kur shkollimi apo trajnimet janë të qasshme për secilin.