11:01 / E Enjte, 27 Janar 2022 / k.v

Projekti për zgjerimin e rrugës Skenderaj-Komoran mbetet në gjysmë

Po bëhen gati 8 vjet prej kur ka nisur projekti për zgjerimin e rrugës Skenderaj-Komoran, mirëpo i njëjti ka mbetur në gjysmë.

Rruga katër korsi është zgjeruar nga Skenderaj deri në Tërstenik, mirëpo prej aty deri në Komoran ka mbetur ende e paprekur.

Qeveria e tanishme nuk ka paraparë ndonjë investim të madh për këtë vit që ky projekt të përmbyllet. Janë ndarë vetëm 650 mijë euro, mjete këto të pamjaftueshme për të ri-nisur punimet intenzive, shkruan IndeksOnline.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci në seancën e djeshme të Kuvendit Komunal ka komentuar edhe injorimin që qeveria Kurti ja ka bërë këtij projekti.

“Më ka premtuar ministri i infrastrukturës, Liburn Aliu që projekti do të zhvillohet, mirëpo këtë nuk e bëri. Me mjetet e ndara për këtë vit nga niveli qendror nuk mund të bëhet as nënkalimi te hekurudha. Kanë qenë të parapara 17 milionë euro për zgjerimin e rrugës, mirëpo na bënë zorrë qorre”, ka thënë Lladrovci.

Kreu i Drenasit ka thënë se për rrugën regjionale Komoran-Drenas që vazhdon në drejtim të Skenderajt po akuzohet ai ani pse është përgjegjësi e nivelit qendror.

Ndryshe për vitin e ardhshëm, 2023, qeveria ka paraparë ndarjen e 1 milion e 70 mijë eurove tjera ndërsa për vitin 2024 edhe 4.5 milionë euro./IndeksOnline/