09:58 / E Premte, 19 Gusht 2022 / B O

Projektligji i ri për pagat: Mjekët me koeficient 12, infermierët sërish mbesin prapa fizioterapeutëve

Janë bërë publike koeficientët për pagat e mjekëve dhe infermierëve në projektligjin e ri të Pagave

Projektligjiri i ri për Pagat është proceduar për konsulta publike nga Ministria e Punëve të Brendshme para dy ditësh. Në këtë projektligj janë përcaktuar koeficientët edhe për pagat në shëndetësi.
Me koeficient në këtë projektligj prijnë drejtuesit e institucioneve shëndetësore me 12.4 në nivelin tretësor, 12.2 në dytësor dhe 12 në parësor.

Mjekët specialistë do të kenë koeficientin 12. Sipas projektligjit të ri, mjekët të cilët ushtrojnë edhe detyrë akademike do të përfitojnë plus 30 për qind të pagës bazë kur punojnë me orar të plotë.

Ndërkaq specializantët do të kenë koeficient 8, kurse mjekët e përgjithshëm, stomatologët dhe farmacistët me 7.4. Psikologët klinikë janë renditur me 7.2.

Fizioterapeutët, logopedët, teknikët e radiologjisë dhe mjekësisë sanitare me koeficient 6. Ky rangim i këtyre të fundit pritet të shkaktoj reagimin e infermierëve të cilët edhe në projektligjin e parë patën kërkuar të renditen njëjtë me këtë kategori për shkak të shkollimit të barabartë.

Infermierët kësaj radhe, bashkë me laborantët, mamitë, teknikët mjekësor dhe farmacistë janë kategorizuar me 5.6. Ndërkaq koeficient pak më të lartë do të kenë kryeinfermierët, kurse koeficient më të ulët do të kenë infermierët dhe teknikët me shkollë të mesme. /Gazeta Shneta/