12:35 / E Hënë, 23 Tetor 2023 / S Z

Projektligji për fertilitet në Kosovë në disa raste lejon zgjedhjen e gjinisë, Reshitaj del kundër

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

Por lidhur me këtë projektligj janë ngritur shqetësime të shumta. Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Albena Reshitaj, thotë se ky projektligj ka shumë gabime dhe ashtu siç është, nuk duhet të miratohet në lexim të dytë.

Reshitaj thekson se nenet e këtij projektligji, duhet të analizohen dhe të diskutohen në mënyrë transparente, para se projektligji të dërgohet në Kuvend për miratim.

“Që nga fillimi kur ky projektligj ka ardhur nga Qeveria në Kuvend, unë kam ngritur shqetësime në lidhje me disa nene të këtij draftprojektligji, që e kanë sjell në Kuvend. E të cilat për mendimin tim janë jashtëzakonisht katastrofale nëse mbesin si të tilla, me pasoja shumë të mëdha nëse bëhet ligj në këtë mënyrë”, thotë Reshitaj.

Ky draftprojektligj sipas Reshitajt ka nevojë të përpunohet jashtëzakonisht shumë, sepse nuk e përmban thelbin e asaj që do të duhej të mbante, sidomos kur flitet për fertelizimin e asistuar mjekësor.

 “Çka është më e keqja, janë disa nene, që nëse mbeten të tilla, pasojat në implementim do të jenë shumë të rënda për të gjithë qytetarët, sidomos gratë të cilat presin me padurim që ta kenë një mundësi të tillë, veçmas në institucione publike, në këtë rast në Klinikën e Gjinekologjisë”, tha ajo.

Ndër shqetësimet e Reshitajt mbetet dhe definimi i saktë, i përcaktimit të gjinisë. Ajo thotë se ligji nuk duhet të lejojë përcaktimin e gjinisë, pasi që kjo hapë rrugë për keqpërdorime.

“Duhet të definohet saktë situata, kur mund të përcaktohet gjinia. Që normalisht nuk duhet të përcaktohet ajo fare. Sepse ne u japim mundësi pastaj keqpërdoruesve ta keqpërdorin këtë”, ka thënë ajo.

Ndërsa thotë se projektligji ashtu siç është, nuk lejon që fëmija pas moshës 18- vjeçare ta njohë nënën dhe babanë e tij gjenetik dhe se kjo duhet të ndryshohet.

“Pse fëmija të mos ta ketë të drejtën pas moshës 18- vjeçare, ta njoh babanë, apo nënën e tij gjenetike. Duhet normalisht ta kemi dhe këtë ndryshim brenda këtij projektligji ”, tha ajo.

Reshitaj madje thotë se nëse projektligji sillet në Kuvend për votim ashtu siç është, ajo nuk do ta votojë atë.

“Për hir të obligimit moral që e ndjej, human e profesional absolutisht jo. Kjo s’ka të bëjë me politikën, ka të bëjë me popullin tim, qytetarët e mi. Nëse ky draft sillet për lexim të dytë në këtë mënyrë si është pa u ndryshuar, pa u rregulluar të gjitha ato çështje, atëherë unë nuk do ta përkrahë ”, tha Reshitaj./Indeksonline/