Projektligji për Gjykatën Komerciale gati

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, ka njoftuar se është finalizuar Projektligji për Gjykatën Komerciale, i cili është hartuar me mbështetjen e USAID-it.
“Ky projektligj do të ndihmojë në krijimin e më shumë vendeve të punës, do t’i përmbushë nevojat e ekonomisë moderne, si edhe do të prodhojë siguri juridike për bizneset dhe investitorët e huaj”, ka thënë Selimi.
Selimi, po ashtu është shprehur midis tjerash se kjo gjykatë do të largojë pasigurinë dhe barrierat me të cilat përballen bizneset.
“Një gjykatë efektive për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis bizneseve do të largojë pasigurinë dhe barrierat me të cilat përballen bizneset aktualisht”.
“Do të ndihmojë bizneset të zgjidhin mosmarrëveshjet në mënyrë të besueshme, efektive dhe të qëndrueshme. Do të rrisë besimin e bizneseve, investitorëve të huaj dhe publikut në sundimin e ligjit në Kosovë”, tha ai.
“Do të zvogëlojë perceptimin e korrupsionit, duke vendosur transparencë më të madhe në procedura gjyqësore. Po ashtu do të përmirësojë qasjen në drejtësi për të gjitha bizneset, si edhe do të përshpejtojë procedurat gjyqësore për bizneset dhe investitorët e huaj”, ka thënë ai.