75 Mall Live Search
09:16 / E Enjte, 07 Gusht 2025 / MSH

Prokurimi tërhiqet nga hartimi i planit të fizibilitetit për ndërtimin e objektit të presidencës

Zyrtarisht është anuluar aktiviteti i prokurimit për dhënien e kontratës për hartimin e planit të fizibilitetit për ndërtimin e objektit të presidencës së Republikës së Kosovës.

Vendimi për anulim të procedurës së prokurimit u mor, më 29 korrik, shkruan IndeksOnline.

Objekti i presidencës planifikohej të ndërtohej në zonën e Prishtinës së Re, teksa thirrjes për tenderin për hartimin e planit të fizibilitetit iu përgjigjen tri palë.

Në njoftimin zyrtar të Organit të Prokurimit bëhet e ditur se arsyeja e anulimit të procedurës së prokurimit publik është një dispozitë në Ligjin e prokurimit publik, që ka kërkuar anulimin e aktivitetit.

“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues, në bazë të nenit 108/A te ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. ligjin Nr. 05/L-092 ne adresën e specifikuar ne Nenin I të këtij njoftimi mbi anulimin e aktivitetit te prokurimit”, thuhet në njoftim.

Aktiviteti i prokurimit për hartimin e planit të fizibilitetit ishte bërë përmes një procedure të hapur, teksa vlera e parashikuar e kontratës ishte 25 mijë euro.

Në fund të muajit korrik u raportua për procedurat tenderuese të nisura nga presidenca, lidhur me ndërtimin e objektit presidencial.

Kësisoj, presidenca e Republikës së Kosovës do të shpërngulej nga objekti i kuvendit, në lagjen “Prishtina e Re”.

Por, nga presidenca deklaruan se nuk është kërkuar ndërtimi i një objekti me oborr privat, suita, dhoma private e luksoze, por vetëm hapësira pune dhe pritjeje zyrtare.

“Plani ideor i shpallur për ndërtimin e objektit presidencial nuk e ka marrë aprovimin e presidentes dhe brenda suazave ligjore presidentja do të kërkojë që ai të revidohet në mënyrë që t’i përshtatet specifikave dhe nevojave reale të Republikës së Kosovës”, u tha në reagim të presidencës./IndeksOnline/